“Më keni mbyllur biznesin”, Rama i përgjigjet Shehajt: Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetit të PD-së, Agron Shehaj, i cili akuzoi qeverinë se i kanë mbyllur biznesin “për hakmarrje politike”. Në një postim në Twitter, Rama shkruan se ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT, ndërsa ironizion Shehajn teksa thotë se deputeti që “bërtet për shtet, e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje”.

“Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti Deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje! Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit”, shkruan Rama.

Akuzat e Shehaj, kreu i qeverisë i konsideroi si politike, teksa e quan deputetin “ballist foltorje”.

“Deputeti me biznesin e tij janë gjetur brenda ndërkohë që pronari pretendonte se e kishte hotel! Duket e pamundur që një deputet të bëjë biznes në një ndërtesë të paligjshme dhe t’i turret Policisë nga mikrofoni i parlamentit, duke marrë pozën e një viktime të regjimit për fjalën e tij lirë, por kur merr vesh që ky tip është një ballist foltoreje atëherë shpjegohet gjithçka”, përfundon postimin e tij Rama.

Deputeti Shehaj tha sot (20 tetor) nga foltorja e Kuvendit se e policia i ka mbyllur biznesin dhe ka sekuestruar ambientet ku operonte ky biznes, duke e konsideruar si sulm politik për t’i “mbyllur gojën”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme