FOTOT/ Presidenti Begaj nderon USAID-in me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, nderoi sot USAID-in me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin “Për kontributin e vyer përmes programeve në shërbim të shtetit, kombit dhe qytetarëve konsolidimin e institucioneve demokratike, nxitjen e zhvillimit ekonomik si dhe mirëqeverisjen”.
Dhënia e titullit u bë gjatë ceremonisë së kremtimit të 30-vjetorit të partneritetit mes USAID-it dhe Shqipërisë, një bashkëpunim që, sipas kreut të shtetit, ka prekur shumë fusha, duke zhvilluar kapacitetet, duke sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe duke mbështetur demokratizimin e vendit.
Presidenti Begaj theksoi në fjalën e tij se “projektet në ndihmë të qeverisjes vendore për përmirësimin e shërbimeve apo për administrimin e gjykatave rritën efektivitetin dhe lehtësuan jetën e qytetarëve. Mbështetja e USAID mundësoi angazhim më të madh të aktorëve shoqërorë dhe fuqizim të tyre si avokatë të interesit publik”.
“Kontributi i USAID-it në sektorë si biznesi i vogël dhe agro-biznesi kanë nxitur zhvillimin ekonomik dhe kapacitetet njerëzore të vendit duke forcuar konkurueshmërinë e sipërmarjeve shqiptare”, u shpreh Presidenti.
/rtsh.al/



Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



