Berisha mbledh grupin parlamentar: Mbështesim protestën e pedagogëve, elita akademike u keqtrajtua gjatë qeverisjes “Rama”

Kreu i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha ka mbledhur grupin parlamentar demokrat. Berisha e ka nisur fjalën e tij me protestën e pedagogëve për rritjen e pagave duke theksuar se elita akademike është keqtrajtuar gjatë qeverisjes “Rama”. Më tej, Berisha ka sulmuar kreun e qeverisë përsa i takon vettingut të pedagogëve.
“Sot, elita e kombit tonë e cila ka si shtëpi të sajën universitetet e vendit, është në grevë, në protestë për kërkesat më elementare që mund të paraqesë një trup akademike studentore dhe punonjës të universiteteve. Elita akademike universitare përbën një pasuri të çmuar për kombin, “de fakto” përbën trurin e kombit, promotorin e dijeve për zhvillimin e vendit, dhe investim të jashtëzakonshëm që qytetarët shqiptarë kanë bërë për formimin e tyre. Kjo elitë, vitet e fundit u keqtrajtua në mënyrën më të pamerituar, u privua nga procesi i gradimeve shkencore që përbën shtyllën e kërkimit shkencor në universitetet e të gjithë botës. Tani vërsulet ndaj kërkesave më minimale të pedagogëve sikur ta kishte nxjerrë Enver Hoxha nga hunda. Ky u kërkon vetting pedagogëve, ka fytyrë, ky që mashtron se parkun rreth shtëpisë 5 mijë metra katrorë e ka blerë për 2 dollarë. Ky që u kërkon vetingun dhe ua përmend vetingun si hanxhar. Ky ka për vete saraje dhe del flet për pastërti figure”, tha Berisha.
Kreu demokrat ka dalë në mbrojtje të protestës së Sindikatës së Punonjësve së Universiteteve duke thënë se PD do jetë krah tyre. Berisha thekson se PD do dalë në protestë kundër qeverisë që përbuz qytetarët shqiptarë.
“Do bëjmë gjithçka për të mbrojtur elitën kombëtare e cila është në një sulm amoral të paimagjinueshëm dhe për të mbështetur kërkesat e tyre. Mbështesim çdo kauzë të drejtë. Kryeaxhenda duhet të jetë mbrojtja e elitës universitare dhe denoncimi i këtij agresioni, këtij sulmi të shpëlarë ndaj tyre, përpjekjet për t’i përçarë. Nuk mund ta imagjinoni se çfarë kërcënimesh u bëhen për t’i përçarë. Ndaj duke u shprehur solidaritetin, ne mbështesim këtë grevë. Ne kemi axhendën tonë e protestave. Sot unë kam takim me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Tiranës. Ne kemi axhendën tonën. Do të mbushim rrugët dhe sheshet se nuk mund të ecet në këtë mënyrë. Nuk mund të shohim sesi shqiptarët përbuze”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




