Hapet gara për Kryetarin e ri të Partisë së Lirisë, Braimllari: Më 29 tetor mblidhet Konventa Kombëtare

Politikë | 4 vite më parë

Sekretari Organizativ i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari dhe Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Silva Caka në një deklaratë për mediat kanë komunikuar disa nga vendimet e marra për proceset zgjedhore për strukturat drejtuese të kësaj partie. Në fjalën e tij, Braimllari ka bërë me dije se më 29 tetor Partia e Lirisë do të mbledhë Konventën Kombëtare.

“Përshëndetje! Jemi në këtë komunikim me publikun për të ndarë disa vendime të rëndësishme të marrë nga Komiteti Organizator i Partisë së Lirisë, në lidhje me procesin zgjedhor të forumeve drejtuese të Partisë së Lirisë, në Konventën Kombëtare e cila do të mbahet më datë 29 tetor.

Konventa Kombëtare në zbatim të vendimeve të Komitetit Organizator, do të miratojë disa ndryshime statutore, programin politik të Partisë së Lirisë si dhe zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar”, tha Braimllari.

Më tej ai njoftoi se sipas vendimit të marrë nga Komiteti Organizator, është hapur sot (14 tetor) gara për kryetarin e ri të Partisë së Lirisë. Sipas Braimllarit, afati për pranimin e kandidaturave do të jetë 10 ditë, dhe gara do të mbyllet më 24 tetor.

“Po në zbatim të vendimit të Komitetit Organizator, është shpallur hapja e procesit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë së Lirisë. Afati për pranimin e kandidaturave për kryetar dhe anëtar të Komitetit Drejtues Kombëtar do të fillojë sot më datë 14 tetor dhe do të mbyllet më datë 24 tetor 2022. Kriteret për kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë mund t’i  tërhiqni pranë zyrave qëndrore dhe do të publikohen në faqen zyrtare të Partisë së Lirisë. Ftojmë të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë që të bëhen pjesë e këtij procesi duke aplikuar pranë Komisionit Zgjedhor të Partisë së Lirisë të ngritur për drejtimin dhe monitorimin e këtyre proceseve zgjedhore. Faleminderit!”, tha Braimllari.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme