Prokuroria refuzon vendimin e Metës ndaj Autoritetit të Dosjeve, Vasili: Vendim nul! Gjokutaj: Shkelje e ligjit

Partia e Lirisë e ka konsideruar skandaloz vendimin e Prokurorisë së Tiranës për refuzimin e padisë së Ilir Metës ndaj Autoritetit të Dosjeve duke vendosur mos fillimin e procedimit penal.
Nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili në një deklaratë për media, thekson se vendimi i Prokurorisë shkel në mënyrë flagrante ligjin. Sipas tij, Prokuroria e ka marrë vendimin pa dëgjuar palën akuzuese dhe pa marrë dokumentet që siç thotë Vasili, provojnë shpërdorimin e detyrës, mashtrimin dhe manipulimin e anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve.
“Ky vendim i Prokurorisë të kapur qartë nga Edi Rama, është një vendim që shkel në mënyrë flagrante ligjin si në procedurë edhe në përmbajtje. Veprimet e prokurorisë kanë qenë skandaloze dhe të paimagjinueshme. Së pari, prokuroria ka rritur deri aty sa nuk ka dëgjuar palën akuzuese por ka dëgjuar vetëm palën e akuzuar dhe vetëm mbështetur në dëshmitë e tyre, ka vendosur mosfillimin e çështjes penale.
Së dyti, prokuroria duke mos regjistruar procedimin penal, as nuk ka marrë fare dokumentet që provonin shumë qartë shpërdorimin e detyrës, mashtrimin dhe manipulimin e anëtarëve të autoritet të dosjeve”, tha Vasili.
Avokati Genc Gjokutaj ka sqaruar se Prokruori është urdhëruar për të marrë vendimin dhe se vendimi është shkelje flagrante e ligjit. “Fillimi dhe mbarimi i çështjes duke pyetur personat që janë nën akuzë dhe me deklarimet e të cilëve prokurori është bindur se nuk ka vepër penale, është një shkelje flagrante e ligjit, një proces i parregullt ligjor. Meta që është kallëzuesi i çështjes nuk është pyetur fare për të dhënë shpjegime. Prokurori e ka paragjykuar çështjen. Është urdhëruar për të dhënë një vendim të tillë”, tha Gjokutaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



