Rama nga Strasburgu: KiE të vendosë nderin e vet, tonin s’e luan topi! Fjalimi pati reagime, tregon se mesazhi ynë shkoi në thellësi

Rezoluta e Shqipërisë për anulimin e raporteve të Dick Martit për kryeministrin Rama nuk është për të vendosur në vend nderin e Shqipërisë dhe Kosovës pasi ata e kanë, por që KiE të vendos në vend nderin e vet dhe t’i jap fund” çorbës që është gatuar aq shpifur” kundër kombit shqiptar.
“Këta duhet të venë në vend nderin e tyre dhe jo tonin, nderi ynë është në vend dhe nuk e luan topi. Është si një bombë ku është gatuar e gjithë ajo çorbë. Nuk akuzojë askënd për ndonjë qëllim të keq, por përsëri them se është gatuar një çorbë e shpifur në përpjekje për të gatuar një ushqim të mrekullueshëm. Unë besoj që gjërat duhen thënë se e vërteta dhëmb por shëron. Edhe ilaçet të hidhura janë por shërojnë, karamelet nuk shërojnë”, tha Rama.
Reagimet e shumta të eurodeputetëve për fjalimin e tij në mbledhjen e Asamblesë në Këshillin e Europës, Rama i mirëpriti duke thënë se kjo tregon se KiE nuk është indiferente dhe se mesazhi i tij ka shkuar në thellësi. Kryeministri tha se fjalimi i tij nuk ka për qëllim të fyej askënd, por të tregojë të vërtetën shkuese.
“Sikur të mos kishte debat do të shqetësohesha se do ta ndjeja si indiferencë. Fakti që pati kaq debat tregoi se mesazhi shkoi në thellësi. Mirëkuptoj të gjithë reagimin, sepse është normale që të ndjehen të shokuar dhe po aq normale si fillim të më fajësojnë mua pse shokohen dhe jo arsyen pse më solli mua këtu dhe historinë që është vërtetë shokuese. Unë nuk erdha këtu as t’i fyej dhe as të vë në diskutim qëllimin e mirë të punës së tyre, por mbi një qëllim të mirë është bërë një vepër shumë e shëmtuar dhe një gabim shumë tragjik. Jam i bindur se çdo gjë do shkojë në vendin e duhur sepse e vërteta shkon gjithmonë në vendin e duhur dhe se e vërteta e Kosovës nuk mbulohet dot nga asnjë lloj hipokrizie dhe sedër-prekje të askujt dhe askund”, tha Rama.
Lidhur me akuzat për trafik organesh, Rama tha se këtu flitet për të gjithë kombin shqiptar dhe krijon imazhin tek të tjerët se “ne jemi ata që nuk lejmë gjë pa bërë, të marrin veshkën dhe ikin me vrap”. Rama pati edhe një batutë për këtë rast kur tha se shqiptarët të bëjnë për vetë duke “të marrë zemrën, por të terat jo”.
Kjo rezolutë që hedh poshtë raportin e Dick Martit, Rama tha se është i vetëdijshëm që do të krijojë debate në Serbi, por për kryeministrin “nuk ka asnjë problem, pasi ajo është e vërteta”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



