“Pastrimi i politikës nga spiunët”, Balla: 3 ligjet që ndryshohen, po shohim anën kushtetuese

PS po bën kujdes që nisma për pastrimin e politikës nga spiunët e Sigurimit të Shtetit, të mos atakohet si antikushtetuese. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, shpjegoi për emisionin “Pa Censurë” në RTSH ndërhyrjet që do të bëhen në 3 ligje për këtë çështje.
“Është e papranueshme që, 30 vjet pas rënies së regjimit dhe ish- Sigurimit të Shtetit, të kemi raste në nivele kaq të larta, deri në zyrën e ish- presidentit, që të ndërhyhet jo vetëm në ligjin për dosjet, por edhe tek ligji i dekriminalizimit. Do të ndryshojmë dhe ligjin e partive politike për të pamundësuar që një ish- bashkëpunëtor të jetë kryetar partie. “- thotë zoti Balla.
Balla u shpreh se, përveç ish- presidentit, rastet e tjera të sjella si shqetësim nga Autoriteti i Dosjeve për të kaluarën e tyre janë 5. Ai përmendi pa emra apo iniciale disa prej tyre, “një shkrimtar, një gjyqtar, një punonjës i strukturës së lartë të Policisë së Shtetit”
Kryetari i grupit parlamentar të PS pranoi si të drejtë ndërhyrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri për kushtetueshmërinë e nismës që përjashton nga politika dhe parlamenti ish- spiunët apo ish- bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.
“Shqetësimi i kolegut Gjiknuri është i drejtë nga ana e jurisprudencës, prandaj ne po hulumtojmë dhe kemi ngritur grupe pune që po analizojnë te gjitha praktikat më të mira evropiane që të gjejnë zgjidhje që këtë vendimarrje tonën ta kthejnë në ligj.”- tha zoti Balla në emisionin “Pa Censurë”.
Duke pranuar një pjesë të propozimeve të PD për krijimin e memories historike, PS nuk është e gatshme të pranojë propozimin tjetër për hapjen e plotë të dosjeve, përtej politikanëve.
“Propozime që të mos ekzistojë më Autoriteti për Informimin e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nuk janë të menduara mirë dhe nuk i bëjnë mirë një procesi që ka nisur pas 30 viteve.”- tha zoti Balla, i cili u shpreh se propozimin tjetër i opozitës për lustracionin nuk e merr fare në konsideratë për shkak se ka ardhur nga pala e Berishës, me të cilin PS refuzon të ketë bashkëpunim parlamentar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




