Grupimet brenda PD-së hedhin një hap drejt bashkëpunimit në zgjedhjet vendore, Bardhi: Nuk hyjmë me kushte, nuk pranojmë kushte

Politikë | 4 vite më parë

Grupimet brenda PD-së duket se po hedhin një hap për të hulmutuar pozicionet, lidhur me bashkëpunimin në zgjedhje vendore për të dalë me një kandidat të përbashkët, por çështja e legjitimitetit për drejtimin e patrtisë duket se është ende një hendek i pakapërcyeshëm mes palëve.

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat, deklaroi se është mandatuar nga grupimi i Alibeajt, për të biseduar me palën tjetër të kryesuar nga Sali Berisha, ose siç njihet ndryshe “Rithemelimi” i PD-së.

Bardhi bëri kujdes për të theksuar se nuk është fjala për të biseduar me Berishën, por me të mandatuarin e “Rithemelimit”, Edi Paloka, duke nënvizuar se nuk bëhet fjalë për negociata, por thjeshtë për të parë se cilat janë mundësitë.

“Berisha ka caktuar Palokën për të biseduar. Do të kontaktoj me Palokën, por s’do të negocioj me të. Do të bisedojmë për të hulumtuar mundësitë që demokratët të kenë një kandidat të përbashkët për zgjedhjet lokale. Me këtë rriten shanset për të fituar zgjedhjet. Nuk do të bëj bisedime para kamerave. Do të bisedoj me Palokën për të parë se kush është grupi i kolegëve që ai përfaqëson. As nuk hyjmë me kushte, as nuk pranojmë kushte”,- u shpreh Bardhi.

Sipas tij, çdo çështje tjetër që i mbivendoset kësaj çështje është tentativë për të bllokuar bashkëpunimin.

 “Jam mandatuar për të folur brenda PD-së, pastaj do të shtrihet bashkëbisedimi edhe me partitët e tjera opozitare”-, tha Bardhi.

/rtsh.al/

 

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme