Sulmet kibernetike/ Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, institucionet raportojnë mbi masat e marra

Është mbajtur sot mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar e thirrur nga Presidenti Bajram Begaj, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj bëri me dije se sulmet kibernetike ndaj sistemit TIMS dhe MEMEX ishin kryefjala e takimit. Ministrja deklaroi se çdo drejtues institucioni që ishte i pranishëm në këtë takim, raportoi mbi masat e marra, nivelin e goditjes dhe masat që do të merren në të ardhmen.
“Diskutuam për çështjet e momentit, ku çdo institucion raportoi mbi masat e marra, mbi nivelin e goditjes dhe masat që do merren në vijim për përballimin situatës dhe parandalimin e sulmeve që mund të vijnë në të ardhmen”, tha Ibrahimaj.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka zgjatur më shumë se dy orë, dhe kanë marrë pjesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, kryeministri Edi Rama, Drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.
Shqipëria u godit nga dy sulme të mëdha kibernetike, atë ndaj sistemit TIMS dhe ndaj sistemit MEMEX. Gjatë muajit korrik shërbimet publike online të AKSHI-t u ndërprenë pas një sulmi kibernetike, më i madhi që Shqipëria kishte përjetuar ndonjëherë. U deshën disa javë për rikthimin e shërbimeve në punë, ndërsa qeveria garantoi se të gjitha të dhënat e qytetarëve ishin ruajtur dhe nuk ishin cenuar.
Shërbimet publike online në vend ranë pre e një sulmi kibernetik më 15 korrik, ku përgjegjësinë për këtë e mori grupi “Homeland Justice” pro-iranianë. Hackerat kishin si qëllim të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian të muxhahedinëve në Shqipëri, të cilët do të zhvillonin një konferencë më 23 dhe 24 korrik, por që u anulua për shkak të kërcënimeve për sulme terroriste. Takimi botëror i Iranit të Lirë do të mbahej në kamp dhe mes të ftuarve kishte edhe ligjvënës amerikanë.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




