50-vjetori i Akademisë së Shkencave/ Rama: Historia e shqiptarëve e kërcënuar! Kushi: Po punojmë për ligjin e ri për shkencën

Politikë | 4 vite më parë

Është mbajtur sot konferenca për 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave. Në fjalën e tij gjatë konferencës, Kryeministri Edi Rama ka vënë theksin te enciklopedia, historia dhe fjalori i gjuhës shqipe që sipas tij janë të rrezikuara nga ajo që ai e konsideron si “injoranca e pashembullt”. Kreu i qeverisë konsideron “një thesar” gjuhën e unifikuar shqipe, duke theksuar se askush nuk duhet lejuar ta prekë apo shpërdoroj atë.

“Sot jemi në kushte kur kemi ringritur një qendër për botimet albanologjike enciklopedike. Enciklopedia shqiptarëve, historia e shqiptarëve dhe fjalori i madh i gjuhës shqipe janë tre sfida të mëdha në tre drejtime ku Shqipëria, jo vetëm vendi por kombi ynë janë të kërcënuara. Është e kërcënuar historia e shqiptarëve nga një injorancë dhe nga një arrogancë e pashembullt që për shumë vite e ka kthyer mënjanësinë e Akademisë së shkencave në një territor anësish politike dhe në një arenë ekstremizmash që gjejnë rrugë për shkak se bota e informacionit nuk ka respekt për asnjë hierarki të dijes. Sot jemi akoma në kushtet kur është e pasigurt nëse mundët apo jo që ta shkruajmë një histori të shqiptarëve që të jetë e gjithë shqiptarëve. Sot gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë më parë. Gjithë ato që thuhen dhe ndërmerren kundër gjuhës shqipe në rendin e pavërtetë akademik, pseudoakademik janë vetëm maja e një ajsbergu që po e gërryen gjuhën shqipe nga poshtë përmes shpërdorimit total të saj. Askush nuk e ka mendjen sa saktë i shkruan fjalët, por e ka mendjen të bëhet “send” sa më shpejt. Besoj që gjuha e unifikuar shqipe është një nga pasuritë më të mëdha të shqiptarëve. Sot jemi shumë larg asaj që mund të ishim në rast se do të ishte garantuar vijimësia e Akademisë së Shkencave dhe “në rast se mes të djeshmes dhe të sotmes, nuk do të kishte hyrë në mes një e sotme ku vuglu i politikës dhe kryengritja e injorantëve nuk do të kishin bërë gjithë atë kasaphanë që bënë me gjithë rrjetin e dijes”, tha Rama.

Reforma e vitit 2019 ishte kryefjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën për 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave. Kreu i qeverisë vlerësoi akademinë si një institucion që i reziston ndikimit politik. 

“Sot ne jemi në kushtet kur mund të themi se falë reformës së vitit 2019 e cila u organizua në një ndërveprim të udhëhequr nga vetë akademia e shkencave dhe kjo është në vazhdën e asaj që po përpiqem të them, në lidershipin e Skënder Gjinushit, përsëri duhet dikush i asaj kohe akademike që të mund të garantoj këtë kohë kaotike me shpresën që do kemi dhe ne kohën tonë akademike.

Dikur akademia e shkencave ishte vendi kur garantoheshin studime dhe projekte. Bëm një bilanc para pak ditësh, aksesi i Shqipërisë përmes universiteteve dhe në mungesë të akademisë në gjithë vitet e shkuara në programin horizont 2020 Shqipëria ka marrë 8% financim të asaj që mund të merrte. Sot  jemi në vitin e parë të programit të ri dhe jemi 38% në vitin e parë. Kemi marrë, universitetet kanë marrë falë ndërveprimit 2.1 milionë euro, që mund të jenë 20 milionë pa asnjë frikë në 7-vjeçarin e programit dhe mund të bëhen dhe më shumë nëse bashkohemi për shkencat dhe kërkimin shkencor. Besoj që gjuha e unifikuar shqipe është një thesaret që s’duhet lejuar askush ta prekë e shpërdoroj”, tha Rama.

Ndërsa Evis Kushi në fjalën e saj deklaroi se Ministria e Arsimit do të punoj fort për ligjin e ri për shkencën që sipas saj do të sjellë transformimin rrënjësor të sistemit të dijes në vend.

“Akademia e Shkencave pati guximin të reformohej dhe të ndiqte trendin e kohës. Sot akademia është institucioni më i rëndësishëm për shkencën dhe dijen. Sot kjo akademi nuk e harroi për asnjëherë Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës, me të cilën ka pasur një bashkëpunim në lidhje me projekte të mëdha të përbashkëta. Akademia e shkencave ka nxitur bashkëpunimin me organizata të ndryshme ndërkombëtare duke pasur bashkëpunime me 50 akademi simotra.

Në cilësinë e Ministres së Arsimit mund t’iu them se po punojmë fort për ligjin e ri për shkencën që do të sjellë transformimin rrënjësor të sistemit të dijes në vend nisur nga nevoja për t’iu përshtatur nevojat bashkëkohore”, tha Kushi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme