Rama nga Praga: Ministrat e Energjisë të vendeve të Ballkanit do jenë pjesë e takimit të BE për krizën energjetike

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se vendet e Ballkanit do të marrin pjesë në takimin e BE për përballimin e krizës energjetike me të cilën po përballen vendet e Unionit.
Nga Praga, ku u mbajt takimi i Komunitetit Politik Evropian, Rama u shpreh se me kërkesë të tij, drejtuar kryetares së KE, ministrat e energjisë së vendeve të Ballkanit do të jenë të pranishëm në takimin e BE që pritet të mbahet së shpejti.
“Ky është një proces, frika ka qenë një forca shumë vendimtare në gjithë historinë e përpjekjeve për të ndërtuar një komunitet politik evropian, ashtu siç ka qenë një forcë penguese dhe për vetë BE. Në një situatë si kjo, Evropa është në një pikë ku për ta krijuar të ardhmen duhet ta parashikojë. Lajmi i mirë është që me kërkesën time drejtuar kryetares së komisionit është pranuar që të thirren edhe ministrat tanë të energjisë në takimin që do zhvillohet në Pragë për të trajtuar çështjen e energjisë si një çështje europiane dhe jo si një çështje të BE. fokusi kryesor në tryezën e rrumbullakët ku unë isha pjesë, ishte pikërisht kriza energjetike”, tha Rama.
Sipas Ramës, tashmë ndodhemi në një epokë rreziku dhe kjo ka bërë që vendet të afrohen më shumë për shkak të inflacionit të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
“Komuniteti evropian është një komunitete vendesh që bashkohen për çështje që janë gjithnjë e më shumë të përbashkëta. Nuk ndahen dot në pjesë kriza e klimës, kriza energjetike, demokratike. Jemi në një epokë të re rreziku, kemi dalë nga epoka e sigurt. Kjo epokë e rrezikut i ka mbledhur të gjithë dhe i ka nxitur të afrohen sa më shumë për shkak të inflacionit të luftës. Shqipëria ka një peshë tjetër dhe një zë tjetër”, u shpreh kreu i qeverisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




