Zgjedhjet vendore, Berisha: Negociatat me grupin Alibeaj të hapura, presim çdo sugjerim

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit Sali Berisha në një deklaratë për media duke komentuar zgjedhjet vendore të 2023, ka deklaruar se kanë nisur negociatat për të dalë me një kandidat të përbashkët me grupin e Enkelejd Alibeajt.
“Falenderoj të gjithë aletatë për qëllimet e tyre pozitive që opozita të paraqitet në këto zgjehdje me një kandidat të vetëm. Gjatë ditëve në vijim do takoj të gjitha forcat politike që kanë pasur aktivitet elekloral por nuk janë në parlament dhe të shkohet në këto zgjedhje me një front të vërtetë. Çdo deputet është i ftuar të kandidojë po të dojë dhe të inkurajojë të tjerë që të kandidojnë. Formalisht kryesia do ti shqyrtojë, por u garantoj se kryesia përveç rasteve më të jashtëzakonshme nuk do të bëjë përzgjedhje eleminuese. Do të jenë primaret, ne kemi premtuar ndryshimin dhe do sjellim ndryshimin. Do jenë primaret që do përcaktojnë kandidatin. Çdo deputet që do të kandidojë është i ftuar të kandidojë. Janë bërë edhe takime. Zoti Paloka po merret intensivisht me këtë. Janë të hapura të gjitha dyert e komunikimit. Ftesa ime publike është rasti i fundit. Nëse duan përmes një marrëveshje, ne presim çdo sugjerim”, tha Berisha.
Kreu i PD u shpreh se ka kërkuar aleatëve që të bëjnë listat dhe që të votohet në pavarësi të plotë. Berisha bëri dhe një thirrje ndaj Alibeajt që të mos bëhet zëdhënësi i Lulzim Bashës. Ky i fundit, sipas Berishës, është i izoluar.
“Ne duhet të shpejtojmë në garë. Nuk është garë që e drejton lidershipi i PD, është një garë që e përcaktojnë primaret. Partive aleate u kam kërkuar të bëjnë listat dhe të votojnë edhe ata në primare. Gjersa gjithçka është e hapur nuk shoh arsye që të mos bashkohen në proces. Të gjithë mund të vijnë, përveç njërit. Ai është njëri, është i izoluar. Se çfarë thotë Alibeaj është tjetër punë. Nuk është shumë e përshtatshme të bëhet zëdhënës i tij”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




