Opozita me kandidat të përbashkët, Duka: Po se bëmë, humbim! Kandidatët të konkurrojnë në primare të hapura

Kërkesa e Sali Berishës dhe Ilir Metës që opozita të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të 2023 ka gjetur mbështetje edhe nga krerët e partive të vogla që kanë qenë në koalicion me PD në zgjedhjet e kaluara. Në takimin mes Sali Berishës me krerët e partive të vogla Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Agron Duka dhe Dashamir Sheh është rënë dakord që të gjitha forcat opozitare duhet të bashkohen që të shkojnë në zgjedhjet vendore 2023 me një kandidat.
Detaje nga takimi ka dhënë kreu i PAA, Agron Duka i cili tha se nëse opozita shkon e përçarë në zgjedhjet e 2023 atëherë do të ketë një përsëritje të dështimit si më 6 mars. Duke qenë se PD është e përçarë dhe nuk mund të zhvillohen negociata, Duka tha se kandidatët duhet të konkurrojnë në primare të hapura.
“Kandidatura duhet të jetë e dakordësuar nga të gjithë forcat opozitare, përfshirë Berishën. Ai e mirëpriti parimisht dhe në detaje tha se do të diskutojë me partitë e tjera. Jo vetëm Berisha por edhe deputetë të tjerë të shkëputur nga grupi Alibeaj kanë shprehur gatishmërinë për kandidaturën e përbashkët. Rezultati i takimit me Berishën mu duk premtues, i gatshëm për bashkëpunim, Të njëjtën gjë kemi dëgjuar nga Meta. Nëse do të tentojmë të dalim me kandidatura, do të përsërisim 6 marsin dhe do të dështojmë. Nëse bëhet puna me negociata është tjetër gjë. Ne po themi që kandidatë të partive të ndryshme opozitare të konkurrojnë në mënyrë të lirë përmes sondazheve në primare të hapura. Nëse do ishte gjendje normale e PD, natyrisht që mund të hynim në biseda negociata. Nëse nuk bëhet kështu, do jetë e vështirë që ngjyra politike e hartës së Shqipërisë të ndryshojë dhe do të mbetet rozë”, tha Duka.
Berisha dhe partitë e vogla zhvilluan në takim një ditë më parë në selinë blu. Gjithashtu takim në selinë e PD me Berishën zhvilloi edhe Ilir Meta të cilët konfirmuan bashkëpunimin e tyre në zgjedhjet e 2023 për të dalë me një kandidat të përbashkët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




