“Me Bashën çuam dëm 9 vjet”, Noka: Shpallja non grata e Berishës pa efekt në elektorat! Ja si po hetojmë akuzat për lobimin rus

Politikë | 4 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i PD beson se shpallja “non grata” e Sali Berishës është një politikë e dështuar në raport me votën e shqiptarëve. Flamur Noka tregohet i ashpër për qëndrimet e ambasadores amerikane, duke theksuar nuk kanë ndikim në elektorat.

“Zonja ambasadore me deklaratat dhe qëndrimet e saj ka shkallmuar statusin e diplomatit. Çdo gjë që thotë zonja ambasadore nuk do të thotë se ka më efekt, sepse zonja është e vetmja ambasadore që, për fat të keq, i ka dhënë të drejtë vetes të hyjë në punët e brendshme të forcave politikë. Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se prapa lobimeve kundër Sali Berishës qëndron Edi Rama dhe aleati i tij politik George Soros”- thotë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka për emisionin “pa Censurë”.

Po kaq i ashpër zoti Noka u tregua edhe me ish kryetarin e PD, Lulzim Basha për çështjen e financimeve të supozuara ruse për PD në vitin 1917. Çështje për të cilën PD ka nisur një audit të brendshëm, megjithëse ajo është hetuar dhe gjykuar 3 vite më parë.

Pjesë nga intervista e sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Noka për emisionin “Pa Censurë”

Flamur Noka: Me një akt personal Lulzim Basha tentoi të fusë PD në një qerthull të rrezikshëm, pasi në arkën e PD nuk ka hyrë dhe nuk ka dalë asnjë qindarkë lobimesh të paligjshme.

Elona Meço: Çfarë do të bëni ju ndryshe nga Prokuroria dhe gjykata?

Flamur Noka: Balta ruse apo joruse, mund të ketë qarkulluar në xhepat e Lulzim Bashës, por nuk ka lidhje me PD. Grupi i auditimit të PD nuk merr përsipër të vërtetojë nëse në Amerikë kanë shkuar para ruse, para krimi, para droge apo para të pastra. Grupi i auditimit ka vetëm 1 detyrë: të vërtetojë dhe të sqarojë që në këtë parti as ka hyrë as ka dalë para e tillë.

Elona Meço: Po kjo dihet.

Flamur Noka: Nuk po flasim më me hamendësime. Tani po flasim me fakte. Departamenti amerikan i shtetit ka përmendur fakt dhe jo hamendësim. Përballë faktit, ne nuk mund të rrimë duarkryq. Do të bëjmë zbardhjen e së vërtetës, rolin që ka patur PD, pastaj, përgjegjësitë e tjera do t’i mbajë për aktin personal të tij, Lulzim Basha dhe askush tjetër.

Elona Meço: Zoti Noka, kur Departamenti i Shtetit flet për Lulzim Bashën, ju e besoni. Kur Departamenti i Shtetit merr vendime për zotin Berisha ju nuk e besoni dhe kërkoni fakte.

Lulzim Basha: Këtu ka vetëm një standard. Për Sali Berishën nuk ka patur asnjë fakt. Sali Berisha ka kërkuar gjithmonë qoftë edhe një fakt të vetëm, në mënyrë që të merrte vendimet e tij. Për Lulzim Bashën u tha fakti se 500 mijë dollarë kanë shkuar nga një kompani e krijuar me pronarë rusë për lobim të Lulzim Bashës për të bërë një fotografi me Trumpin.

Elona Meço: Ju keni punuar edhe me zotin Basha, edhe me zotin Berisha. Ku ndryshojnë këta të dy në drejtimin e PD në opozitë?

Flamur Noka: Nuk takohen askund këta persona me njëri-tjetrin. Askund. Ndiej dhimbje dhe keqardhje për 9 vite të opozitës të çuara dëm! Jo rastësisht jam i pari që u ndava nga Lulzim Basha, për këtë qasje që kishte ai ndaj demokratëve, ndaj PD, për mentalitetin e tij dhe për gjithçka.

Elina Meço: Dhe zoti Berisha çfarë ka të ndryshme?

Flamur Noka: Zoti Berisha ka të ndryshme gjithçka. Jua thashë që nuk takohen asgjëkund me njëri-tjetrin. Koha ka treguar kush është zoti Berisha. Nuk ka mbërritur dita që Flamur Noka të flasë kush është Sali Berisha. Të jeni e sigurt se e di sot çdo shqiptar dhe ndërkombëtar kush është dhe si punon Sali Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme