Mes fuqizimit të partisë, primareve dhe protestave, Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka tregon prioritetin numër 1

Politikë | 4 vite më parë

Protestat, grevat, përballja me qeverinë përtej parlamentit nuk është një opsion shumë i shpejtë për Partinë Demokratike. Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, pohoi se tani prioriteti numër 1 është diçka tjetër.

“Axhenda e opozitës për këtë vjeshtë është më se e qartë: fuqizim dhe energjizim i strukturave të PD, përgatitja për primaret si risi madhore në politikën shqiptare dhe përgatitja për përballjen, ku do të ketë protesta, greva. Fuqizimi i strukturave prevalon mbi të gjitha. Primaret dhe protestat, ku përfshihen grevat, janë pika e dytë e aksionit, që do të thotë se  do të jenë paralel me njëra- tjetrën, pa ndikuar tek njëra-tjetra”, u shpreh zoti Noka në RTSH.

Përgjatë këtyre 31 viteve, qeveritë nuk janë rrëzuar asnjëherë me protesta, por PD është e vendosur të bëjë gjithçka për të çliruar votën e lirë nga ai që e quan regjimi i Edi Ramës.

“Kjo është qeveria më armiqësore ndaj shqiptarëve. Kemi të bëjmë me një regjim që ka kapur ekzekutivin, legjislativin, bën presion dhe kontrollon mediat, ka kapur edhe drejtësinë, që është shndërruar degë e ekzekutivit, ka kapur presidentin. Është një qeveri që po shpopullon këtë vend dhe po e varfëron. Me një regjim zgjidhja është përballja me të gjitha format e ligjshme.“- thotë zoti Noka për emisionin “Pa Censurë”.

I pyetur nga gazetarja Elona Meço, nëse çadra si në 2017-ën është një opsion, Sekretari i Përgjithshëm i PD ishte krejt i qartë.

“Çadra tregoi se është një formë  që dështoi. Nuk futet Sali Berisha dhe PD në çadër.”- theksoi Flamur Noka për emisionin “Pa Censurë”’në RTSH.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme