25-vjetori i Shkollës së Magjistraturës, Kim: Bëhuni shpresë për vendin! Ambasadorja e BE: Keni sfida të mëdha përpara

Reforma në Drejtësi po jep rezultate dhe se magjistratë e rinj janë shpresa për ta çuar para drejtësinë e re. Ky ishte mesazhi që partnerët ndërkombëtar të Shqipërisë dhanë në ceremoninë e 25-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës.
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim tha se SHBA do të mbështesë gjithmonë Shqipërinë dhe se magjistratë e rinj duhet të kthehen në shpresën e vendit. Teksa u kërkon që të mos dorëzohen kurrë ndaj presioneve, ambasadorja Kim shpreh besimin se magjistratët e rinj do të sjellin një të ardhme më të mirë për drejtësinë.
“Ju sfidoj të jeni të guximshëm në bërjen e ndryshimeve. Ndërsa Shqipëria ndërmerr Reformat në sektorin e drejtësisë, këto duhet të ketë sukses për të mirën e të gjithë shqiptarëve dhe të ardhmen e Shqipërisë. Puna e shkollës së Magjistraturës kërkon shumë përpjekje. Ju uroj ju të diplomuar , ndërsa zgjohem në mëngjes përpiqem ti kujtoj vetes përse jam në këtë punë dhe shpresoj që edhe ju të shiheni çdo mëngjes në pasqyrë dhe ti thoni vetes;,” Unë do të jem pjesë e arsyes që populli im të ketë shpresë dhe do të jem pjesë e një Shqipërie më të mirë se tani. Kurrë mos u dorëzoni, SHBA do të mbështesë Shqipërinë”, tha ajo.
Edhe ambasadorja e BE në Shqipëri, Cristiane Hohman tha se magjistratët e rij kanë sfida të mëdha përpara dhe se nuk duhet të bien pre e presioneve.
“Unë i uroj shumë suksese në karrierën e tyre dhe të arrijnë t’i shërbejnë me sukses vendit të tyre”, tha ajo.
Në ceremoninë e 25-vjetorit të shkollës së Magjistraturës ishte i pranishëm edhe presidenti Bajram Begaj, i cili kërkoi nga magjistratët e rinj të konsolidojnë pavarësinë e gjyqësorit si dhe të tregojnë paanshmëri në vendimet e tyre për të rritur besimin e publikut.
Për presidentin Begaj Shkolla e Magjistraturës është institucioni që do çojë përpara drejtësinë e re dhe do të sjellë vendime të drejta në të ardhmen.
“Me ndryshimet kushtetuese shkolla e Magjistraturës është përballë sfidave e përgjegjësive akoma më të mëdha. Misioni i formimit të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve e vendos shkollën në pozicion të rëndësishëm e kritik, duke qenë pragu i hyrjes së tyre në sistemin e drejtësisë. Puna juaj ka ndikim përcaktues në cilësinë e prurjeve në gjithë sistemin e drejtësisë, në formimin e magjistratëve të një niveli të lartë profesional e moral, në rritjen e besimit të publikut në figurën e autoriteteve të drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, si një institucion i pavarur është me rëndësi që rekrutimi dhe vlerësimi të kryhet me objektivitet e transparencë, mësimdhënia të jetë cilësore dhe institucioni të konsolidojë më tej pavarësinë në ushtrimin e funksioneve kushtetuese. Pavarësia e paanshmëria në punën tuaj sot janë çelësi i pavarësisë e paanshmërisë së gjyqtarëve e prokurorëve nesër, do të thotë vendime të drejta e të paanshme nesër”, tha Begaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



