Gjiknuri takim me emigrantët në Greqi: Investoni kursimet në Shqipëri

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga Sekretari Organizativ Blendi Klosi, Sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe Ligjore Eridian Salianji, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, zv. Ministrja e Jashtme Artemis Dralo zhvilluan një takim me strukturat e PS dhe mbështetës që jetojnë e punojnë në Selanik.
Gjiknuri u shpreh se qeveria është e angazhuar për të mbështetur emigrantët kudo që ata janë.
“Diskutuam mbi problematikat me të cilat ndeshen emigrantët dhe atë çka ne mund të bëjmë që në bashkëpunim me autoritetet greke të mund t’i adresojmë. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë ndërkaq të gjitha masat për të përmirësuar shërbimet konsullore e gjendur sa më pranë çdo bashkëatdhetari”, shkruan Gjiknuri në postimin në FB.
Numri dy i PS nënvizoi se Shqipëria tashmë u garanton emigrantëve të drejtën e votës në Kod. Ai u bëri thirrje atyre që të shprehin vullnetin politik në zgjedhje.
“Gjithashtu, i informuam për atë çka po bëhet në Shqipëri jo vetëm për t’u përballur me sfidat e kohës por për të shëndoshur ekonominë dhe zgjeruar mundësitë që kursimet e tyre emigrantët të vinë t’i investojnë në Atdhe. E drejta e votës së tyre tanimë e sanksionuar në Kod garanton shprehjen e vullnetit politik edhe nga vendet ku jetojnë, por rasti i Greqisë tregon më së miri se ata e kanë gjetur gjithnjë rrugën për të shprehur mbështetjen me votë qoftë dhe duke u kthyer ne Atdhe në ditën e zgjedhjeve pa pritur bërjen realitet të votës në distancë”, shtoi më tej Gjiknuri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



