Ceremoni përkujtimore për ish-presidentin Bujar Nishani, të pranishëm Berisha e Meta

4 muaj pas ndarjes nga jeta e ish-presidentit Bujar Nishani është zhvilluar një përkujtimore në ditën e tij të lindjes. Familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë ndanë në ceremoni kujtimet që kishin së bashku me ish presidentin e ndjerë. Të pranishëm në ceremoninë përkujtimore ishte edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Berisha e konsideroi veten të bekuar që kishte pasur një mik si Nishani, ndërsa shtoi se ai ishte një shtetar dinjitoz që e donte kombin.
“Të bekuar ishim ne të gjithë që patëm një mik si ai. Për mikun më e çmuara në miqësi është besnikëria. Bujar Nishani ishte një mik besnik, me të cilin komunikojë njëlloj si me veten tënde. Me të diskutoje dhe vendosje, pasi ishte i bindur në luajalitetin dhe besnikërinë e tij. Unë kam patur fatin të bashkëpunoj, ta njoh në të gjitha nivelet e shtetit. Zyrtar i përgjegjshëm, efecient, dinjitoz dhe më pas Shtetar, që i bënte nder vendit dhe detyrës me përkushtimin e tij. Një nga ministrat më efecientë. President! përfaqësues ndër më dinjitozët në historinë e kombit. Bujar Nishani e donte kombin, e donte dheun dhe flamurin e kombit dhe i nderoi ato si pakkush tjetër, ndaj sot ka një vend, nuk është aty në karrige por është dhe do mbetet gjithnjë në zemrat tona. Ndaj dhe duke u përulur me nderimin më të madh shpreh mirënjohjen, e konsideroj veten të bekuar që pata një bashkëpunëtor si Bujar Nishani”, tha Berisha.
Teksa e cilëson si një nga momentet më të vështira në jetë vdekjen e të atit, djali i ish-presidentit Ersi Nishani tha se sot i mungon njeriu me të cilin ndante çdo mendim.
“Babai im ishte një njeri që na mësoi shumë virtyte deri në minutat e fundit të jetës së tij. Ai përcolli te unë dhe Fiona dashurinë për familjen dhe mirënjohjen për miqtë. Kur njeriu përballet me vdekjen ai pasqyron ndjenjat më të sinqerta. Katër muajt e fundit kanë qenë shumë të vështira. Më mungojnë mesazhet e tij të përditshme në mëngjes dhe telefonatat e tij në fundjavë kur jepja mendim për statuset e tij në Facebook. Katër muaj më parë unë humba njeriun me të cilin mund të ndaja çdo mendim pa doreza, Fiona humbi njeriun që i dhuronte dashurinë më të sinqertë. Mamaja jonë humbi njeriun e jetës. Jam i sigurt që secili sonte në këtë sallë ka humbur diçka nga largimi i Bujar Nishanit. Vepra e tij e lënë në mes vazhdon te të gjithë ne. Ëndrrat e tij për një familje më demokratike vazhdojnë te të gjithë ne”, u shpreh ai.
Bujar Nishani, ndërroi jetë në 28 maj 2022 në një spital në Gjermani, pasi shëndeti i ti u rëndua pas infektimit me COVID-19.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




