Mbyllja e shkollës jopublike/ Berisha: Rama, vasal i Erdogan! Shkel çdo kod etik dhe moral në vendin e tij

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit Sali Berisha ka dënuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”. 

Në një konferencë për mediat Berisha akuzon Ramën si vasal i presidentit turk, ky ku i fundit sipas Berishës e konsideron Shqipërinë si një vend ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash e xhamishë në vendin tonë.

Berisha u bën thirrje gjimnazistëve dhe qytetarëve të Tiranës të mbështesin dhe tu bashkohen protestave të nxënësve të shkollës jobublike.

“Sot dua të dënoj edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe qëndrimin cinik, të ulët të Edi Ramës ndaj arsimit privat në Shqipëri. Ky vasal i shpifur i Erdogan, i Presidentit të Turqisë që e konsideron Shqipërinë si një vend ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash e xhamishë ka urdhëruar mbylljen e një kolegji me parametrat më të mirë dhe një histori 26 vjeçare në Shqipëri, kolegjit Mehmet Akif.

Në traditën e tij morale, gënjeshtra, Rama u tha shqiptarëve se shkaku i mbylljes ishte se miku i tij, me avionin e të cilit e ka si taksi, ka blerë godinën. Gënjestar i lindur, i shpifur. Të na thotë pak kopshtit me 255 nxënës, të gjithë të afërt me moshën e djalit të tij, çfarë kishe me kopështin që mbylle? A mundet një kryeministër të bëjë betejë me 255 parashkollorë? A e di ky njeri se ata vogëlushë ditën pas çerdhes familjare e kalonin në këtë çerdhe me njeri-tjetrin, mësonin, këndonin, recitonin, mësonin gjuhë, mbështesnin njeri tjetrin, festonin ditëlindje së bashku, gëzonin me njeri-tjetrin, prisnin të nesërmen për të shkuar me kënaqësi në kopësht.

Ky është gënjeshtar i lindur që për të zbatuar urdhrat e verbra të Presidentit të Turqisë, shkel çdo kod etik dhe moral në vendin e tij.

U bëj thirrje gjimnazistëve të Tiranës të bashkohen me nxënësit e kolegjit Mehmet Akif. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të mbështesin protestën e tyre sepse kjo përbën një shkelje flagrante të lirisë së shkollimit në këtë vend. Ky është një vendim i marrë jashtë Shqipërisë, një vendim i turpshëm, një vendim që ka në bazë lidhje jashtëzakonisht të sëmura dhe të dyshimta.

E dënoj me forcën më të madhe këtë vendim anti-demokratik dhe anti- shqiptar të një njeriu, që e kam të lehtë të them që është i kapur nga Sinan Idrizi. Solidariteti im i plotë me studentët, por edhe vogëlushët e kopshtit, viktima të një gënjestari që s’ka moral”, tha Berisha. 

Nxënës të kësaj shkolle kanë dalë sot në protestë përpara Ministrisë së Arsimit duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për mbyljlen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”. Nxënësit kanë kërkuar jo vetëm tërheqjen e vendimit dhe vijimin e mësimit në këtë shkollë, por edhe dorëheqjen e Ministres së Arsimit Evis Kushi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme