Rama: Shqipëria nuk do të ndalet së luftuari për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook një pjesë nga fjala e mbajtur nga ai një ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Rama ka risjellë në vëmendje luftën çlirimtare të Kosovës dhe rishikimin e Rezolutës së Këshillit të Europës në mbështetje të raportit famëkeq të tregimtarit Dick Marty.

Kryeministri thekson se, Shqipëria nuk do të ndalet së luftuari për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës.

“Nuk mundem të mos ndaj me ju, një shembull të tmerrshëm që duhet të jetë mësim për gjithë botën e pikë së pari për botën demokratike. Në vitin 2011 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një raport të përpiluar nga një parlamentar i zellshëm me emrin Dick Marty, e ku akuzohej UÇK për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Z. Marty duhet të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Europës. Raporti i tij ishte tronditës, e jo vetëm shumë asokohe, i besuan, por u shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së dhomave të specializuara të gjykatës për Kosovën. U bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloji i manifestit për propagandë mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës” u shpreh Rama.

Në fjalën e tij Kreu i qeverisë shqiptare i ka bërë thirrje edhe njëherë vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës rajonale “Open Ballkan”, duke ftuar edhe Greqinë e Turqinë.

Rama u ndal edhe te sulmet kibernetike të Iranit, me të cilat u përball shqipëria, ku i kërkoi Asamblesë së OKB që të kthejë vëmendjen edhe te siguria kibernetike.

/rtsh.al/

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme