Samiti Dixhital, Balluku: Ndërkombëtarët të mbështesin vendet e rajonit, dëmet e sulmeve kibernetike mund të jenë ndërkufitare

Zv.kryeministrja Belinda Balluku i ka bërë thirrjeve ndërkombëtarëve që të mbështesin financiarisht vendet e rajonit për të forcuar sistemet e tyre dixhitale. E pranishme në Samitin Dixhital që po mbahet në Prishtinë, Balluku u shpreh se dëmet e sulmeve kibernetike mund të jenë ndërkufitare.
“Dixhitalizimi nuk është zgjedhje por domosdoshmëri, prandaj duhet të jemi në hap me zhvillimet e reja dhe si qeveri t’i akomodojmë gjitha këto. Sulmet kibernetike në Shqipëri ishin një sulm i organizuar në mënyrë profesionale nga një shtet tjetër, mirëpo reagimi jonë dhe aleatëve tanë ka qenë i shpejtë për mbrojtjen ndaj këtyre sulmeve kibernetike. Kjo duhet parë si reflektim për rishikuar mbrojtjen e sistemeve tona. Ftoj ndërkombëtarët që të mbështesin financiarisht vendet e rajonit pasi dëmet e sulmeve mund të jenë ndërkufitare”, tha Balluku.
Sistemi TIMS u sulmua mbrëmjen e 9 shtatorit, ku për pasojë për pak kohë u paralizua punë në aeroportin e Rinasit, por pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Sistemi TIMS u rikthye në të gjitha pikat kufitare pas 24 orësh. Ndërkohë, në korrik u sulmuan shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përgjegjës për të dy sulmet është Irani, ndërsa për këtë arsye Shqipëria mori vendimin për të prishur marrëdhëniet diplomatike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




