“Besueshmëri dhe bashkim”, Alibeaj flet për herë të parë për kandidatë të përbashkët të demokratëve: “Duhet vullnet për të bashkuar bazën”

Politikë | 4 vite më parë

Kyetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, pranon për herë të parë se PD ka vuajtur nga mungesa e besueshmërisë. Kjo është çështja e parë që grupi parlamentar duhet të korrigjojë me qëndrime të qarta, të drejta dhe në interes publik.

“Diçka do të duhet t’ia kërkojmë vetes me kokën ulur. Përse ne nuk kemi arritur ende, që në një situatë të një demokracie disfunksionale, të deformuar, të ketë ende shqiptarë që ose nuk shkojnë në zgjedhje, ose që ende nuk kanë besim tek ne? Ne duhet të kemi si synim që të ndodhë ai revolucioni i vogël në mendjen e çdo shqiptari, i cili kur të shkojë para kutisë së votimit të mos ketë asnjë dyshim që të na votojë në shumicë, duke e ditur që në këtë vend nuk bëhen zgjedhje normale. Kjo është ajo që duhet të bëjmë për t’u bërë të besueshëm.”- u shpreh Alibeaj në emisionin “Pa Censurë”.

Ka edhe diçka tjetër që demokratët e dinë se duhet ta korrigjojnë: konfliktin e brendshëm. Zgjedhjet lokale duket se janë një rast i mirë që palët të flasin për kandidatë të përbashkët. Megjithëse thotë se është për bashkim rreth vlerave dhe jo për bashkim mekanik, Enkelejd Alibeaj ka një term tjetër për ata që disa kolegë të tij i quajnë kandidatë të përbashkët me palën tjetër të PD.

“Unë jam për të dalë me kandiatë të demokratëve.”- shprehet Alibeaj. Më poshtë një pjesë nga biseda me gazetarën Elona Meço në emisionin “Pa Censurë”, ku Enkelekd Alibeaj flet edhe nëse çështja e shpalljes “non grata” e zotit Berisha, mund të jetë apo jo pengesë për të dalë me kandidatë të përbashkët.

Enkelejd Alibeaj:  Unë jam për të dalë me kandidatë të demokratëve.

Elona Meço: Qofshin këta edhe të zotit Berisha?

Enkelejd Alibeaj: Të heqim dorë nga etiketimi që janë të njërit apo të tjetrit. Pse të mos përdorim etiketën tjetër që është më e drejtë, kandidatë të demokratëve. Me thënë të drejtën,  mundësitë gjenden, por për të qenë të sinqertë, nuk varet vetëm nga ne. Mënyrat janë të ndryshme, por kjo është një gjë që nuk është diskutuar ende.

Elona Meço: D.m.th është një opsion që të dilni me kandidatë të përbashkët, pra me 1 kandidat?

Enkelejd Alibeaj: Unë, si deputet i PD, duke parë vetëm një kundërshtar që është Edi Rama, do të dëshiroja që të ndërgjegjësohemi të gjithë se ky është problemi kryesor i të sotmes dhe i së ardhmes së shqiptarëve.

 Elona Meço: Zotin Berisha e quani një kundërshtar?

Enkelejd Alibeaj: Kundërshtari është ai i pushtetit. Kundërshtari i shqiptarëve është pushteti, është Edi Rama.

Elona Meço: Pra, duke qenë se nuk është kundërshtar, mund të jetë bashkëpunëtor?

Enkelejd Alibeaj: Jo, këtu duhet të jemi të qartë. Për ne do të ishte mirë që demokratëve në bazë t’u japim një kandidat të vetëm, që të përballet me kundërshtarin.

Elona Meço: Dakord, por çështja është se si?

Enkelejd Alibeaj: Para se të shkojmë tek “Si”,  duhet të shohim a ka dëshirë apo jo? A ka vullnet apo jo? Kjo mbetet për t’u parë.

Elona Meço: Pra mund të tejkalohet “non grata” përballë kërkesës së demokratëve për të dalë me 1 kandidat të përbashkët?

Enkelejd Alibeaj: Tani, çështja e “non gratës” është një gjë e qartë, e debatuar gjërë e gjatë. Nga grupi parlamentar dhe deputetët është mbajtur një qëndrim, i kaluar tashmë. Ne po flasim për një çështje të re dhe një sfidë të re që po na vjen dhe që janë zgjedhjet lokale. Kemi një detyrim që t’i japim sinjal bazës se jemi të bashkuar, të dalim në mënyrë dinjitoze nga këto zgjedhje.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme