Konfiskimi i ndërtimeve pa leje, Bardhi: Favorizon milionerët e Ramës! E kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese

Partia Demokratike ka deklaruar se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e fundit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, në një deklaratë nga kryesia e Kuvendit, e konsideroi vendimin në kundërshti me Kushtetutën, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se po merr në mbrojtje “oligarkët”.
“Edi Rama të shpjegojë pse milionerët nuk kanë asnjë përgjegjësi penale. Pse policia shkon në mal te një fshatar që rregullon çatinë e shtëpisë, por nuk sheh kullat pa leje në mes të Tiranës. Ligji nuk njeh mundësinë e legalizimit, parablerjes a shmangies nga përgjegjësia penale. Detyrimi i vartësve dhe Edi Ramës për ta zbatuar. PD e ka çuar në gjykatën kushtetuese këtë vendim, pasi vendimi i qeverisë për të marrë në mbrojtje oligarkët është në kundërshtim me Kushtetutën, u jep amnisti”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, ky vendim është nxitje për “milionerët e Ramës” që të vijojnë të ndërtojnë kate pa leje.
“Vendimi i qeverisë parashikon që kush ndërton kulla apo kate shtesë pa leje, duhet ta deklarojë, t’ia shesë shtetit me 1 euro e ta blejë. Me këtë akt, Edi Rama ka kthyer paligjshmërinë në sistem dhe i ka dhënë lejen çdo oligarku që të shtojë pa leje sa kate të dojë. Nxitje për milionerët e Ramës, për të vijuar të ndërtojnë kate pa leje. Çmimi i tregut në zonën e pallatit në fjalë është rreth 1500 euro metri katror, por në zyrën e shitjeve të kësaj kompanie, çmimi real i shitjes është 5000 euro katrori. Në fund do të fitojnë 2500 euro për metër katrorë, 2500 ia paguajnë shtetit e 500 gjoba. Ligji e ka rregulluar në mënyrë shteruese çfarë ndodh nëse kryen shtesa pa leje. Masat janë gjobë të barabartë me vlerën e punimeve, prishje ose konfiskim për interes publik, mosdhënien e lejes së shfrytëzimit, referim në prokurori dhe dënim me burgim për ndërtime pa leje”, u shpreh ai.
Më 7 shtator, qeveria mori vendimin për konfiskimin nga shteti të ndërtesave pa leje apo ato pallatet që kanë bërë disa kate shtesa mbi lejet që u janë dhënë nga bashkitë. Sipas këtij vendimi, ndërtesa e konfiskuara do të përdoren për familjet në nevojë, strehimin e familjeve të prekura nga veprat publike si dhe do të përdoren nga shteti si zyra.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



