Partia e Lirisë protestë para Inceneratorit të Tiranës! Meta: SPAK dhe Rilindja koordinohen për të blerë zgjedhjet e ardhshme

Një protestë e vakët dhe pa shkëlqim, ishte rezultati i premtimit të një aksioni të fortë opozitar. Kjo ishte pamja e protestës së parë të organizuara nga Partia e Lirisë që kur Ilir Meta mori drejtimin e saj. Këtë e tregojnë numrat, ku protestuesit ishin të pakët edhe pse tubimit paqësor iu bashkua edhe grupi i “Rithemelimit”, Klevis Balliu, Edmond Spaho dhe Ervin Salianji. Vetë Sali Berisha, aleati më i madh i Ilir Metës, nuk ishte i pranishëm.
Prostata u zhvillua para Inceneratorit të Tiranës, ndërsa pak minuta pasi kishte nisur iu bashkua edhe vetë Ilir Meta. Ai tha se SPAK e ka këtu monumentin e korrupsionit duke iu referuar Inceneratorit të Tiranës, por kjo nuk ndodh sipas tij pasi drejtësia “është kapur prej fyti” nga qeveria.
“Çdo qytetar qe vjen është një zë i fuqishëm për ti thënë SPAK-ut boll me drejtësinë me regji. Boll burgosët fukarenj, se nuk paguajnë një faturë me drita. Ja ku e keni monumentin e korrupsionit”, tha Meta.

Pamje nga protesta
Me tone të ashpra, Meta tha se SPAK duhet të heqë nga sytë shaminë që i ka vënë Rama e Veliaj dhe të zbatojë ligjin e të çojë rilindasit në burg. Ndërsa thirrjet e tij për largimin e kryeministrit, Meta i shoqëronte me “Rama shporru”.
“Për ta arritur këtu në një vend të veçantë sepse jemi në një skenë krimi. Vijmë këtu pikërisht sepse u bënë 558 ditë të denoncimit zyrtar për këtë aferë kriminale dhe drejtësia nuk vepron, nuk e shikon. Ndaj, jemi këtu për të qenë dëshmitarë që nuk ka incenerator, nuk ka proces incenerimi. Gjithçka është një mashtrim, siç është treguar me fakte dhe në mënyrë të përsëritur nga përfaqësues të opozitës e shoqërisë civile, analistë kurajozë. Jemi këtu për të treguar me gisht këtë vend krimi, në mënyrë që drejtësia e SPAK ta heqin shaminë që u ka vënë Rama e Veliaj nga sytë. Të zbatojnë ligjin dhe të çojnë hajdutët rilindas pas hekurave. Mjaft më, me drejtësi. Rama ik është e tejkaluar. Rama shporru”, tha Meta.
Teksa akuzoi qeverinë se fshihet pas aferës së inceneratorëve, Meta thotë se në këtë lojë është përfshirë edhe SPAK dhe se gjithçka bëhet për të blerë zgjedhjet e ardhshme.
“Ishte megafirma e Velisë që i dha jetë kësaj vepre korruptive pa mbledhur Këshillin Bashkiak. Me atë firmë futi në borxhe qytetarët e Tiranës për 30 vite për mafien e inceneratorëve që të blejnë votat, ekranet dhe analistët shpirt shitur për të vrarë shpresën për ndryshim. Kanë kaluar 558 ditë nga denoncimi me fakte i aferës, dhe ende ajo vijon. Sepse Rama dhe larva e tij kanë kapur për fyti drejtësinë. Është e qartë se ka një koordinim perfekt midis rilindje se SPAK që të blihen zgjedhjet e vendore e të dënojnë ndonjë bedel të dorës së dytë që të thënë se drejtësi e re vazhdon”, tha Meta.
Denoncimet kanë qenë të shumta për inceneratorët, ku personat që folën në tubim thanë se inceneratorët janë kompani off shore që nuk u dihet pronari dhe se djegin milionat e shqiptarëve për t’u pasuruar vetë dhe rilindasit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



