Reforma Territoriale, Balla: I qëndrojmë ndarjes aktuale! PD: Tallje! Do kërkojmë referendum për ndryshimin

Politikë | 4 vite më parë

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duket se nuk e kanë gjetur ende konsensusin për ndarjen territoriale të Shqipërisë. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas mbledhjes së Grupit, deklaroi për mediat se socialistët i qëndrojnë ndarjes aktuale, pra 61 bashki dhe 12 qarqe.

“Ka pasur propozime edhe për zvogëlim dhe zmadhim të numrit të bashkive, kështu nisur edhe nga fakti që 7 vite kanë kaluar nga reforma e fundit dhe të gjitha shërbimet publike janë përmirësuar, është përmirësuar edhe shërbimi online, duke rritur aksesin e qytetarëve, kemi konkluduar që pozicioni ynë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale, do jetë ti qëndrojmë ndarjes aktuale”, tha Balla.

Deputetja e PD-së, Dhurata Çup, bashkëkryetare e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale-Administrative, e konsideroi deklaratën e Ballës si ”tallje me shqiptarët”. Në një postim në Facebook, Çupi thekson se ata do të kërkojnë referendum për ndryshimin e hartës territoriale.  

“Është tallje me qytetarët që duan ndryshim të hartës. Është tallje me partnerët që u angazhuan në proces. Është tallje me parlamentin. Është shpërdorim i taksave të qytetarëve, për një proces të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës. Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat në tavolinë. Kështu ka bërë në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor. Edi Rama ka frikë nga vota. Përgjigja e qytetarëve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve”, shkruan Çupi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme