199 familje në Zall Herr hynë në banesat e reja! Rama flet për ndërtimet pa leje: Ndërhyjmë në ligj, kontrolle çdo 45 ditë gjatë ndërtimit

199 familje në Zall Herr kanë marrë sot çelësat e banesave të tyre të reja të rindërtuar pasi u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili pasi i uroi banorëve t’i gëzonin banesat e reja që tashmë janë të tyret, ka marrë shkasë nga aksioni i konfiskimit të ndërtesave pa leje duke u dhënë atyre një këshillë: “të mos zihen me njëri-tjetrin për gardhe, e as të mos bëjnë shtesa si të pangopurit në mes të Tiranës”.
Rama thotë se këto shkelje nuk do të lejohen më dhe se çdo ndërtesë pa leje do të përdoret për banesa sociale dhe ndërtuesi do paguajë çdo metër katror me çmimin e tregut të indeksuar.
“Tani ju takon juve që ta mirëmbani këtë lagje kaq të bukur, të mos vini gardhe e të mos ziheni për gardhe me njëri-tjetrin, të mos bëni shtesa si disa të pangopur në mes të Tiranës, por atyre do jua marrim katet dhe në të gjithë ato metra katror të ndërtuar për qëllim fitimi, do të strehojmë familje në nevojë ose do t’i detyrojmë që t’i paguajnë ato metra katror, jo me çmimet që deklarojnë, por me çmimin real, plus indeksim dhe me gjobën sipër. Në këtë mënyrë t’i blejnë vetë dhe aq sa të mos u shkojë më nëpër mend të bëjnë më ndërtime pa leje, ne të paguajmë ata që do të shpronësohen tek Unaza e Re”, tha Rama.
Rama paralajmëron edhe ndërhyrje në ligj, ku do e bëjnë të detyrueshme kontrollet çdo 45 ditë gjatë fazës së ndërtimit të pallateve në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që të shmangen abuzimet në të ardhmen.
“Do ta shtrëngojmë akoma më shumë ligjin, do vëmë kontrolle të detyra çdo 45 ditë në mënyrë që katet të mos hidhen dhe pastaj kur shikohet është vonë. Ky do të jetë mësim i mirë për të gjithë ata që do të dalin të implikuar në këtë histori”, tha Rama.
Rama ka pasur edhe një përgjigje për kritikët, të cilët e kanë cilësuar aksionin e qeverisë si “prishje pazaresh me ndërtuesit”. Duke hedhur poshtë këto zëra, Rama thotë se qëllimi i vetëm është që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit.
“Kur përpiqesh të bësh diçka, duhet të përgatitesh të dëgjosh gjithçka. Nëse nuk do të të shajnë e mallkojnë mos dil nga shtëpia, rri brenda. Nëse do që të gjithë të thonë sa burrë i mirë, as mos fol, as mos lëviz vendi dhe as mos u duk. Atëherë je burrë i mirë, i ndershëm, je për t’u bërë krushk. Nëse merr përsipër të bësh një punë dhe fillon t’i ndryshosh gjërat, gjithmonë ka baltë për ty sa të duash. Kam dëgjuar këto ditë që thonë, ato pallatet nuk u bënë brenda ditës. Aty i kishit apo ju prishën pazaret. Nuk mundet që të mos lejojmë dhe të shembim ndërtime pa leje në fshat apo të njerëzve që sidoqoftë nuk I bëjnë për t’i shitur apo fituar dhe të lejojmë që këta pasanikë të jenë pa kufij në përpjekjen për të bërë më shumë fitim për t’i rënë në qafë të gjithëve. Nuk ka Pazar të prishur se të ishte për pazar, gjysmat e pallateve do t’i jepnin për të mos përfunduar në kthetrat e këtij operacioni”, tha Rama.
Prej dy ditësh qeveria ka nisur aksionin për konfiskimin e ndërtesave pa leje apo shtimi i kateve pa leje. Aksioni po zhvillohet në Farkë, pro do të shtrihet në të gjithë vendin, ndërsa ndërtuesve u janë dhënë dy opsione, parablerja ose dhurimi i çdo metri katror. Në të kundërt ndërtesat do të konfiskohen dhe ndërtuesi do të ndiqet penalisht. Në të gjitha rastet ndërtuesi do të duhet të paguajë një gjobë për shkeljen e ligjit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




