Kriza energjetike/ Rama përgënjeshtron Dumën: Mbi 800 kWh do paguani 9120 mijë lekë dhe jo 7600 lekë! 7X7 s’bëjnë 42

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtruar deputeten e PD-së Grida Duma, e cila kishte bërë një llogaritje se sa do të paguante një familje shqiptare me çmimin e ri të energjisë nëse i kalon 800 kWh. Sipas Dumës shqiptarëve u bie të paguajnë 7600 lekë ose 4.4 herë më shumë, por Rama e ka ironizuar me gabimin e ish liderit të saj Luzlim Basha duke thënë se “7X7 nuk bëjnë 42”.

“Nëse shpenzoni më shumë se 7,600 lekë në muaj energji, fatura shtesë do të jetë 4.4 herë më e lartë! Të gjithë ata që normalisht në dimër shpenzojnë më shumë se 800 kë energji, që i korrespondon një fature prej 7,600 lekësh në muaj, do ta paguajnë energjinë shtesë shumë më shtrenjtë.” Ky është vendimi i qeverisë, e cila pretendon që kjo prek vetëm 3 % të qytetarëve.  Duke parë faturën dhe shpenzimin tuaj, mendoni që ju prek ky vendim dhe kjo rritje?  Nëse po, komentoni”, ka shkruar në facebook Duma.

Rama thotë se me çmimin e tregut një familje shqiptare që konsumon më shumë se 800 kWh nuk do të paguajë 7600 lekë por 9120 lekë. Këtë çmim sot e paguajnë vetëm 4 % e shqiptarëve dhe sipas Ramës kjo masë nxit kursimin e energjisë dhe detyron të pasurit të paguajnë më shumë.

“Komenti im është ky: 7X7 nuk bëjnë 42 dhe 800këh energji nuk prodhojnë një faturë mujore 7.600 lekë, por një faturë 9.120 lekë! Kush do të harxhojë më shumë, për çdo kë mbi 800-ën  nuk do të paguajë çmimin e mbrojtur 9.5 lekë me TVSh, po çmimin real 42 lekë me TVSh! Sot janë vetëm 4% e konsumatorëve që shpenzojnë mbi 800këh dhe marrin 19% të konsumit energjetik të familjeve! Ne besojmë se kjo masë do të nxisë kursimin e nga ana tjetër do t’i detyrojë më të pasurit të paguajnë më shumë, në këtë kohë krize kur ata janë edhe më pak të prekurit”, shkruan Rama.

Qeveria prezantoi sot paketën e dytë anti-krizë, ku tha se familjet dhe bizneset e vogla janë të mbrojtura deri në fashën 800 kWh, ndërsa kush konsumon më shumë do të paguajë energjinë me çmimin e tregut që është 42 lekë kilovati. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme