Veliu në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Noka: Kampion i shkeljeve etike dhe ligjore, emërimi i tij provokativ

Politikë | 4 vite më parë

Vendosja e Ardi Veliut në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka nxitur reagimin e Partisë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka në një deklaratë për media ka deklaruar Veliu është kryepolici i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe kryepolici që infektoi policinë e shtetit me virusin e prekjes dhe përfshirjes në zgjedhje.

“Rikthimi i njërit prej përgjegjësve të kriminalizmit të Policisë në vendin e krimit, është një ogur i keq i kësaj qeverie për cdo shqiptar që kërkon rend, siguri dhe një polici në shërbim të qytetarëve. Ardi Veliu, ish-drejtori famëkeq i Policisë së Shtetit, është kthyer në strukturën policore. Ai do të drejtojë Agjencinë e Mbikqyrjes Policore e cila, siç sugjeron emri, do të kontrollojë policët për shkelje etike dhe ligjore.

Siç thotë populli: i varin ujkut zorrët në qafë. Ardi Veliu është kampion i shkeljeve etike dhe ligjore. Ai është kryepolici i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, me dorën deri në bërryl në qypin e korrupsionit. Ardi Veliu, mbi të gjitha, do të kujtohet për korruptimin strukturor të Policisë së Shtetit. Me korruptim strukturuar duhet të kuptojmë politizimin deri në palcë, duke e kthyer armën e Policisë në pisqollë të Rilindjes.

Gjithashtu Veliu është kryepolici që infektoi policinë e shtetit me virusin e prekjes dhe përfshirjes në zgjedhje. Me këto dy rekorde të zeza, Partia Demokratike paralajmëron se Ard Veliu është rikthyer, jo për ta mbikëqyrur Policinë, por për tu siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces. Si dhe për të ruajtur lidhjet e vjetra me botën e krimit”, tha Noka. Partia Demokratike e sheh si të rrezikshme dhe provokative emërimin e Veliut në në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

“Ardi Veliu e ka mbi vete damkën e Elbasanit në zgjedhjet e shkuara. Jo vetëm peshën e një vrasjeje, por edhe prishjen e provave në vendngjarje. Riqarkullimi i Veliut nuk është thjesht kriza për kuadro të ndershëm në Polici, por filozofia e kryeministrit, ministrit dhe kësaj qeverie, sipas të cilëve monitorimi i Policisë u lihet të inkriminuarve. Partia Demokratike e sheh si të rrezikshëm dhe provokativ këtë emërim. Duke e ndarë armën e policisë nga pisqollat e pushtetit, ne garantojmë, si policët e ndershëm, ashtu dhe opinionin publik, se të korruptuaritdhe vrasësit e mitit të shtetit, siç është Ardi Veliu, do të japin llogari për cdo përfshirje në korruptim dhe inkriminim”, deklaroi Noka.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme