Porti i Durrësit/ Berisha: Po i dorëzohet mafies më të rrezikshme, Rama do mbajë përgjegjësi penale

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga Procesi i Rithemelimit Sali Berisha në një bashkëbisedim me gazetarët ka hedhur sërish akuza për Portin e Durrësit. Berisha deklaroi se porti më i rëndësishëm i Shqipërisë po i dorëzohet mafies më të rrezikshme. Sipas Berishës, Kryeministri Edi Rama po ndërton Dubain e familjes së tij në Portin e Durrësit me grupe të rrezikshme anti-shqiptare dhe anti-evropiane.

“Të dhëna të reja dëshmojnë se tentakulat e mafies Rama Alabar përfshijnë vëllezërit Kariç dhe më të dashurit e Lukashenkos. Siç e shihni kemi të bëjmë me një dorëzim të portit më të rëndësishëm të Shqipërisë mafies me të rrezikshme. Edi Rama vëllezërit Karic, Vucici prapa tyre pasi vellezërit Karic janë aksionerët kryesore të dy kompanive të Alabarit në Beograd dhe përsëri kjo kompani arabe ka tentakulat e saj dhe ka marrë përsipër ndërtimin e Smart City në Minsk ku kompania e Minskit ka për Presidentin ndihmësin kryesor të Lukashenkos. Në këtë kontekst jo vetëm që Rama po ndërton Dubain e familjes së tij në Porin e Durrësit, por po e ndërton me grupe të rrezikshme anti-shqiptare dhe anti-evropiane siç janë biznesmenë të Bjellorusisë dhe ata të Beogradit. E vërteta është se në këtë aferë multimiliardëshe kemi të bëjmë me bashkëpunimin gangster politik të rajonit me ata të Putinit në Bjellorusi”, tha Berisha.

Kreu demokrat ka denoncuar projektin për Portin e Durrësit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për të  blerë apartamente nga kompania fantazmë. Berisha thekson se Rama do të mbajë përgjegjësi penale.

“PD denoncon me forcën më të madhe këtë projekt të Edi Ramës dhe Alabar. U bën thirrje qytetarëve të Durrësit të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për të blerë apartamente nga kompania fantazmë Rama-Alabar dhe garanton se nuk do të njohë asnjë vendim, por do bëjë përgjegjës penal Edi Ramën për dëmin e tmerrshëm që i ka krijuar vendit me mbylljen de facto të portit kryesor”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme