“Open Balkan”, hapet edicioni i parë i Panairit të Verërave në Beograd, Rama: Nismë për njerëzit

Është hapur në Beograd edicioni i parë i Panairit të Verërave, në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur, i organizuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. I pranishëm në Beograd, në fjalën e tij Rama tha se qëllimi i nismës rajonale “Open Balkan” është shumë më tepër se ekonomik e politik, por një projekt bashkëjetese në paqe.
Duke e konsideruar Panairin me nivel të lartë europian, Rama tha se ai tregoi qartë se është më mirë që vendet Ballkanit të qëndrojnë bashkë dhe jo me kurriz ndaj njëri-tjetrit.
“Të gjitha vendet tona janë këtu për të qëndruar edhe pas nesh, dhe zgjedhja jonë është si të qëndrojmë këtu në këtë vend duke qenë të gjithë sëbashku në të njëjtën lagje të Europës, duke u përpjekur ta bëjmë këtë lagje më paqësore për të gjithë njerëzit tanë apo duke hedhur gurë mbi tjegullat e njëri-tjetrit e duke i vënë flakën njëri-tjetrit. Në këtë panair të nivelit të lartë europian është e qartë që më mirë kështu së bashku duke u afruar me njerëzit, duke parë se sa shumë gjëra të përbashkëta kemi si njerëz sesa ashtu si kemi qëndruar më parë, me kurriz nga njëri-tjetri. I kemi dhënë mundësi prodhuesve tanë dhe tregtarëve të verës që të shikojnë në një hapësirë të përbashkët kaq shumë prodhime që përndryshe do duheshin udhëtime të gjata për t’u shikuar. Sot këtu janë 22 prodhues nga Shqipëria. Kjo është një nismë për njerëzit. Ballkani i Hapur është shumë më tepër se ekonomi e politikë, është një projekt paqeje dhe bashkëjetese në paqeje, projekt i bashkimit në paqe të një vizioni të përbashkët për të ardhmen”, tha Rama.
Panairi i Verës, si pjesë e iniciativës “Open Balkans”, ka nisur më 1 shtator në Beograd dhe do të vijojë deri më 4 shtator. Panairi do të mirëpresë prodhuesit më të mirë të verës në rajon me qëllim promovimin e kombinimit të shijeve dhe aromave që përfaqësojnë frymën e Ballkanit, gjeografinë e tij dhe pasurinë e tij të varieteteve. Ditën e nesërme (2 shtator) do të mbahet samiti mes liderëve të Ballkanit të Hapur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




