Meta kallëzoi në SPAK Autoritetin e Dosjeve, Balla: Prokuroria të mos bëhet rëra ku ai të fshehë kokën, por të respektojë ligjin

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar pasi kreu i PL-së, Ilir Meta kallëzoi sot në SPAK Autoritetin e Dosjeve. Në një postim në Facebook, Balla thekson mbështetjen e Partisë Socialiste për të gjithë anëtarët e Autoritetit të Dosjeve, ndërsa akuzat e Metës ndaj tyre i konsideron si “shantazh absurd”.

“Anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve që vijnë nga familje të persekutuara prej regjimit komunist dhe sot janë kallëzuar nga Ilir Meta si falsifikatorë dhe si vegla të pushtetit, ju sugjeroj miqësisht ta marrin këtë zhvillim si ilustrimin e asaj shprehjes: Historia ndodh si tragjedi dhe përsëritet si komedi! Të gjithë anëtarët e Autoritetit dhe kryetarja e tij zonja Genta Sula kanë të gjithë respektin e mbështetjen tonë në punën e tyre. Shantazhi absurd i Ilir Metës ndaj tyre është një tjetër arsye për të dyshuar fort se spiuni I.M nuk është askush tjetër, po pikërisht ai që tanimë mendon gjithë Shqipëria”, shkruan Balla. 

Ai i bën thirrje Prokurorisë që të respektojë ligjin dhe të mos bëhet “rëra ku Meta të fshehë kokën”.

“Uroj që prokuroria të mos bëhet rëra ku Ilir Meta të fshehë kokën si struci në pafundësi, po të respektojë ligjin, institucionet dhe të drejtat e detyrat e drejtuesve të tyre. Ndërsa Ilir Meta që s’po le gjë pa bërë, pse dreqin s’po e bën gjënë më të thjeshtë në botë: Kërkesën për hapjen e dosjes së tij! Apo është peng i spiunit I.M?”, përfundon Balla postimin e tij.

Sikurse kishte paralajmëruar, Meta depozitoi këtë të enjte në SPAK dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal ndaj Autoriteti të Dosjeve. Ai e akuzon Autoritetin për falsifikim të dokumenteve shtetërore, falsifikim kompjuterik, falsifikim të vulave, stampave, për shpërdorim detyre, për përhapje të informatave të rreme që ngjallin panik dhe zbulim të të dhënave sekrete.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme