Përplasja e Ramës me Bullgarinë, Partia e Lirisë: Retorikat personale të autokratit të ri, të rrezikshme për Shqipërinë

Përplasjet me ministrisë së Jashtme bullgare dhe kryeministrit Edi Rama ka bërë që Partia e Lirisë të reagojë duke akuzuar këtë të fundit se po ndjek një politikë anti-europiane.
Duke e cilësuar kryeministrin Rama si autokrat i vendit, Partia e Lirisë thotë se sulmet ndaj Bullgarisë mike dhe BE për proceset e integrimit të vendeve janë retorikë personale e Ramës dhe tepër të rrezikshme për Shqipërinë.
Zv.nënkryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho thotë se kjo retorikë e Ramës vjen si pasojë e përkushtimit ndaj Ballkanit të Hapur për të zbatuar axhenda rajonale të miqve të rinj ballkanik.
“Në përgjigje të retorikës boshe por të qëllimshme të Kryeministrit Rama në forumin e Bled, se ‘Bullgaria per tetë vite ka penguar integrimin e Shqipërisë në BE’, Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë ka deklaruar se këtë deklaratë anti-Bullgare dhe anti-europiane do ta ndjekë sipas të drejtës ndërkombëtare dhe europiane. Akuzat për shpifje ndaj kryeministrit Rama, të bëra nga një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe anëtar i NATO-s, një vend historikisht mik i Shqipërisë, ngre alarmin për diskursin anti-europian në të gjitha planet: ndaj politikave të BE-së, ndaj vendeve të veçanta si dhe dështimin në plotësimin e kërkesave themelore të Parlamentit Europian, Bundestagut Gjerman, për forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri.
Duket se zoti Rama, autokrati i ri i Shqipërisë, po përpiqet të imponojë një axhendë jo europiane për Shqipërinë, duke kritikuar, provokuar vendet europiane dhe vetë Bashkimin Europian për të bllokuar procesin e përbashkët konsensual të integrimit të vendit tonë në BE. Partia e Lirisë, e shikon këtë politikë të personalizuar të zotit Rama si shumë të rrezikshme dhe me pasoja për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane. Qeveria Shqiptare e zotit Rama duhet të kuptojë, që shtetet europiane si Franca, Holanda, Bulgaria ishin preteksti.
Por fakti real, ishte në mungesën e vullnetit politik të kësaj qeverie për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, kapjen e shtetit, etj. Siç është edhe sot, vullneti i kryeministrit dhe shumicës së tij parlamentare, për të miratuar ligje anti-europiane, si “Pasaportat e Arta”, Amnistia Fiskale Kriminale, Projektet Strategjike pa transparencë dhe duke përjashtuar investitorët Europianë.
Pasioni, për t’ju përkushtuar Ballkanit të Hapur nga qeveria Rama si dhe zbatimi i axhendave rajonale të miqve të rinj ballkanik, sjellin si pasojë qëndrimet provokative ndaj Bullgarisë dhe mospëlqimi dhe kritikat ndaj BE-së. Partia e Lirisë shpreh keqardhjen për këto raporte të panevojshme dhe të dëmshme ndaj një vendi mik si Bullgaria, dhe do të qëndrojë e angazhuar për bashkëpunim të sinqertë, me gjithë vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian”, tha Nesho.
Në forumin e Bled në Slloveni, kryeministri Edi Rama tha se Bullgaria pengoi procesin e integrimit të Shqipërisë për 8 vite, gjë që solli reagimin e ashpër të Ministrisë së Jashtme bullgare duke i cilësuar këto “si retorika shqetësuese, të paprovokuara, të njëpasnjëshme antibullgare të kryeministrit shqiptar Edi Rama”.
Vetë Rama tha se ai ka ripërsëritur të njëjtën gjë që ka thënë edhe në qershor, ndërsa shtoi se “mbase Ministria e Jashtme Bullgare ka nevojë për një përkthim të qetë të përgjigjes së kreut të qeverisë shqiptare”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




