Arritja e marrëveshjes Kosovë- Serbi, Rama: Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë

Politikë | 4 vite më parë

Arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese, është përshëndetur edhe nga kryeministri, Edi Rama. Nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare e vlerëson këtë marrëveshje si një “lajm të bukur”, i cili u mundësua falë dialogut. Rama uron të dyja palët që ky zhvillim ta çojë dialoguin në një nivel të ri. 

“Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët, uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot”- shkruan kryeministri Rama.

Lajmi më parë u bë i ditur nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, i cili, nëpërmjet një një postimi në Twitter shkroi: “Ne kemi një marrëveshje. Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i urojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”.

Xhaçka: Një lajm shumë i mirë për rajonin

Edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka komentuar mbi arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e dokumenteve identifikuese. Ajo e konsideron një lajm të mirë për të gjithë rajonin. 

“Një lajm shumë i mirë për rajonin. Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje nga e cila përfitojnë si shqiptarët ashtu edhe serbët. Dialogu është gjithmonë rruga. Urime të dy liderëve dhe mirënjohje BE për lehtësimin e dialogut”, shkruan Xhaçka në Twitter.

Lajçak: Falenderoj diplomacinë amerikane

Pas arritjes së marrëveshjes ka reaguar edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai ka falënderuar të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për angazhimin e treguar në arritjen e  marrëveshjes .

“Falenderoj të dërguarin e posaçëm amerikan Escobar dhe diplomacinë amerikane, për angazhimin e tyre të fortë në mbështetje të dialogut të lehtësuar”,- shkruan Lajçak në Twitter.

Nikolla: Mirëkuptimi dhe vullneti i mirë garantojnë zgjidhje të qëndrueshme

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e arritur sot mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Nikollës, marrëveshje është një hap premtues drejt avancimit të dialogut mes dy shteteve.

“Përshëndes marrëveshjen mes Kosovës  dhe Serbisë. Mirëkuptimi dhe vullneti i mirë garantojnë zgjidhje të qëndrueshme. Marrëveshja e sotme është një hap premtues drejt avancimit të dialogut. Mirënjohje për Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Borrell, dhe të dërguarit e ShBA, Escobar dhe BE, Lajçak, për kontributin dhe afrimin e qëndrimeve mes dy shteteve.”,- shkruan Nikolla në Facebook.

Osmani: Falenderoj SHBA- BE

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas marrëveshjes Kosovë- Serbi. Ajo ka falenderuar specifikisht SHBA-në dhe BE-në, për rolin e tyre mbështetës.

“Reciprocitet e barazi. Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet. Falenderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për rolin e tyre mbështetës. Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke.’- shkruan Osmani.

Berisha: Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur

Sali Berisha ka reaguar lidhur me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.

“Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumentave të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Partia Demokratike ka mbështetur pa lekundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve. Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të medha midis dy vendeve. Vetëm nje Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE dhe NATO! Sb’- shkruan Berisha.

Meta: Vetëm me dialog arrihen zgjidhje të qëndrueshme

Kryetari i PL-së, Ilir Meta, shprehet se ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, për dokumentet e identifikimit.

“I mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sipas të cilit “Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe“. Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve”.,- shkruan Meta.

Alibeaj: Shpresojmë të ketë rezultate pozitive për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe stabilitetin e rajonit

Lidhur me marrëveshjen Kosovë- Serbi, ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

“Marrëveshja e sotme mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e reciprocitetit duhet përshëndetur dhe shpresojmë të ketë rezultate pozitive për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe stabilitetin e rajonit. Meritë për këtë kanë dhe drejtuesit e shtetit dhe qeverisë së Kosovës që falë këmbënguljes dhe përpjekjeve arritën në këtë marrëveshje të rëndësishme me Serbinë. Ata treguan qetësi e maturi në një kohë tensioni e gjaknxehtësie në Ballkan. Një falënderim të veçantë për BE dhe SHBA që me përpjekjet e tyre afruan Kosovën e Serbinë në këtë marrëveshje të rëndësishme”,- shkruan Alibeaj në Facebook.

Basha: Kosova e pavarur është realitet i pamohueshëm

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar, lidhur me arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për njohjen e dokumenteve të identifikimit.

“Marrëveshja e sotme është lajm i mirë për qytetarët e  Kosovës  dhe Serbisë. Mirënjohje për kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe  Bashkimit Evropian! Kosova e pavarur është realitet i pamohueshëm. Dialogu dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë si dy vende te pavarura i kontribon paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në rajonin tonë.”, shkruan Basha në Twitter.

/rtsh.al/

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme