Presidenti Begaj takon Kryeministrin e Luksemburgut: Mirënjohje për mbështetjen e pakursyer për integrimin në BE

Politikë | 4 vite më parë

Presidenti i Republikës Bajram Begaj priti sot në një takim Kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel. Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve në këtë vit që shënon 100-vjetorin e njohjes së Shqipërisë nga Luksemburgu dhe 50-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për ndihmën e çmuar që Luksemburgu dha për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar i nëntorit 2019 në Shqipëri.

Lidhur me procesin e integrimit evropian si dhe vëmendjen që shoqëria dhe institucionet shqiptare i kushtojnë atij, Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e pakursyer që Luksemburgu i ka dhënë Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor gjatë gjithë këtij procesi.

Presidenti tha se mbështetja domethënëse e Luksemburgut për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor ka marrë një rëndësi edhe më të madhe gjeopolitike, veçanërisht pas agresionit të armatosur rus në Ukrainë.

Presidenti Begaj e falënderoi Kryeministrin Bettel edhe për hapësirat dhe kushtet që Luksemburgu i ka krijuar komunitetit shqiptar që jeton e punon atje.

Kreu i Shtetit dhe Kryeministri Bettel  vunë theksin te rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi si  vetmja rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.

Ata ndanë mendime mbi zhvillimet politike ndërkombëtare, me fokus pasojat dhe ndikimin e luftës në Ukrainë për rendin botëror dhe sigurinë e paqen në tërësi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme