Hetimi i SPAK ndaj Metës, Berisha: Synimi i vetëm i Ramës, falsifikimi i fakteve

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka reaguar pas hetimeve që SPAK ka nisur ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Me një postim në Facebook, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se ka shkrirë në një të vetëm Shërbimin Informativ, Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, SPAK-un e partisë dhe se i ka shndërruar në “aneks të zyrës së tij”. Sipas Berishës, qëllimi i Ramës është fabrikimi dhe falsifikimi i fakteve.

“Këto javët e fundit, i tmerruar nga fati i afërt që e pret për vjedhjet e mëdha që u ka bërë shqiptarëve, gjykimi dhe ndëshkimi popullor për vjedhjet e mëdha me aferat e djegësve, portit të Durrësit, Butrinit me prokurimet sekrete, PPP, bordet e çmimeve stratosferike dhe aferat e tjera që mbajnë firmën e tij, Edi Rama ka shkrirë në një të vetëm Shërbimin Informativ, Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, SPAK-un e partisë dhe i ka shndërruar në aneks të zyrës së tij.  Me qëllimin e vetëm fabrikimin, falsifikimin, manipulimin e paskrupullt të pseudo-fakteve, pseudo-dokumenteve për kundërshtarët politikë, në rastin konkret kundër kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.  Duke dënuar me forcën më të madhe këto akte të shëmtuara të regjimit mafioz të Edi Ramës, të bazuar në dhunimin e votës së qytetarëve, vjedhjen e papërmbajtur te pasurive dhe fondeve publike, drogën  dhe krimin, i them vasalit të Aleksandër Vuçiç-it se je i pashpresë dhe se, nuk ka manipulim, shpifje apo falsifikim as dhe ligj i votuar nga mazhoranca kallpe që do të shpëtojë ty nga ndëshkimi i rëndë popullor.  Ti dhe shteti yt mafioz njëpartiak do të keni fundin e merituar”, shkruan Berisha.

SPAK i kërkoi sot (24 gusht) KQZ-së formularin e dekriminalizimit të Ilir Metës,ndërsa ky i fundit reagoi duke akuzuar kreun e Prokurorisë së Posaçme,  Arben Krajën se “po i shërben mafies së inceneratorëve”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme