Nota e Rusisë për ngjarjen në Gramsh, MEPJ: Vepruam sipas Konventës së Vjenës, të arrestuarit rusë s’kërkuan kontakt me ta

Politikë | 4 vite më parë

Ministria e Jashtme ka reaguar lidhur me notën të Ambasadës Rusë në Tiranë lidhur me arrestimin e dy shtetasve rusë për spiunazh. Ambasada ruse është ankuar se nuk ka marrë informacion lidhur me arrestimin e shtetasve rus, por Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka thënë se letra për notën ka ardhur në këtë institucion më 23 gusht dhe se menjëherë janë vënë në veprim për të mbledhur informata.

Ministria e Jashtme sqaron se në këtë rast ajo është vetëm një pikë ndërlidhëse mes kërkuesit e strukturave të tjera, dhe se nuk ka asnjë kompetencë. Gjithashtu sipas ligjit ndërkombëtar dhënia e informacionit nga ana e ministrisë bëhet vetëm nëse këtë gjë e kërkojnë vetë të ndaluarit të flasin me ambasadën e tyre.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë thekson se të gjitha veprimet e bëra nga ajo janë në përputhje me  Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale

“Lidhur me pretendimet e ambasadës ruse në Tiranë se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prej ditësh nuk i përgjigjet notës së kësaj ambasade, për informacion mbi ndalimin e shtetasve rusë për shkak të përpjekjeve për të hyrë me dhunë në zonë ushtarake, Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ, z. Gazmend Turdiu deklaron me përgjegjësi se të gjitha veprimet e MEPJ lidhur me këtë çështje janë në pajtim të plotë me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe me konventat për mbrojtjen e të dhënave personale, ku Shqipëria është palë.

MEPJ ka marrë notë verbale nga ambasada e Rusisë, në përpjekje për të marrë informacion mbi dy shtetasit rusë të ndaluar në hyrjen e një objekti ushtarak. Por është absolutisht e pavërtetë që kjo notë ka katër ditë që është dërguar. Nota është hartuar në datën 22 gusht dhe ka hyrë në MEPJ në datën 23 gusht pasdite. Në mënyrë të menjëhershme MEPJ i është drejtuar me kërkesë për informacion autoriteteve kompetente. Theksojmë se në këtë pikë MEPJ është pikë ndërlidhëse mes kërkuesit dhe strukturave të tjera dhe nuk ka asnjë kompetencë tjetër për çështjen në fjalë.

Në kuadër të transparencës dhe të refuzimit të dezinformimit, MEPJ, është e gatshme të verë në dispozicion të mediave dhe të opinionit publik kopjen e notës, ku duket qartë numri dhe data e dërgimit, 22 gusht 2022.

Autoritetet shqiptare e kishin të pamundur të njoftonin ambasadën e Rusisë për ndalimin e këtyre dy shtetasve, sepse Konventa e Vjenës referuar më sipër, neni 36, pika 1.b e saj, përcakton se shteti pritës, në këtë rast Shqipëria, duhet të njoftojë për ndalimin e tyre përfaqësinë diplomatike të shtetit dërgues, në këtë rast Rusia, vetëm nëse të ndaluarit kërkojnë vetë të kontaktojnë ambasadën e tyre.

Dëshirojmë gjithashtu të theksojmë se ndalimi apo fillimi i një procesi penal ndaj një personi është e dhënë personale e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Edhe në këtë kuptim, dhënia ambasadës së Rusisë e informacionit të ndalimit të këtyre shtetasve, do të ishte shkelje e angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

2 shtetas rusë dhe një ukrainas u ndaluan më 20 gusht nën akuzën e spiunazhit pasi kishin hyrë në uzinën e armëve në Gramsh ku po fotografonin ambientet. Njëri prej tyre madje ka sulmuar edhe dy ushtarë shqiptarë në momentin që ata kanë dashur t’i ndalonin.

Gjykata e Elbasanit ka vendosur një ditë më parë arrest me burg për 2 rusët dhe ukrainasin, të cilët akuzohen për spiunazh. Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe dhe 25-vjeçari ukrainas Fedis Alpatov u akuzuan për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme