Sulmi në Uzinën e Gramshit, Peleshi: Mund të kenë patur qëllim të devijojnë vëmendjen nga tjetër skenar

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi kanë reaguar për arrestimin e dy shtetasve rusë dhe një ukrainas pasi u futën brenda ambienteve të Uzinës së armëve në Gramsh. Në fjalën e tij, Peleshi deklaroi se këta shtetas nuk respektuan rregulloren dhe gjithashtu dhunuan dy ushtarë, ndërsa sa i [përket spekulimeve për spiunazh, ai theksoi se do presin përfundimin e hetimeve.
“Ngjarjet e fundit nuk janë të zakonshme. Të gjitha institucionet kanë vepruar në kohë dhe siç duhet. Dua t’ju konfirmoj se jemi të përgjegjshëm dhe seriozë në trajtimin e ngjarjes së Gramshit. Ka disa nivele klasifikimi të pronave të ushtrisë, baza dhe ish uzinave. Ato që janë të klasifikuara nuk është e lehtë, madje e pamundur të aksesohen. Kemi edhe shumë sajte të tjera që i kanë përkitur dikur industrisë ushtarake që janë të vizitueshme, por për sa kohë janë në administrim të ushtrisë, vizita duhet të bëhet me leje.
Ne nuk kemi industri ushtarake. Ato nuk janë aktive. Ka aktivitet sporadik të demontimit të armëve të ndryshme. Do të thotë thjeshtë shkatërrimi. Aktiviteti i tyre ishte vitin e kaluar. E njëjta gjë është edhe për Policanin. Aty nuk prodhohen më lëndë plasëse, por asgjësohen lëndë plasëse të ndryshme. Vazhdojnë të ruhen nga personali ushtarak. Kjo nuk e revalitizon më shumë ngjarjen në Gramsh. Kemi të bëjmë me një grup të huajsh. As nuk kanë tentuar ta vizitojnë atë pronë me leje, por kanë tentuar të hyjë në të, njëri ka kapërcyer rrethimin dhe ka reaguar dhunshëm. Sado që unë solla një pasqyrë të vërtetë larg ekzagjerimeve të politikë, nga ne po trajtohet me seriozitet. Kemi të bëjmë me tre të huaj që kishin goxha ditë në Shqipëri. Edhe për shkak se mund të jetë edhe ngjarje s’na shqetëson shumë se çfarë kanë fotografuar në Gramsh, por mund të kenë pasur qëllim të devijojnë vëmendjen nga një skenar tjetër. Ne jetojmë në një rajon delikat”, tha Peleshi.
Sakaq, Peleshi theksoi se qëllimi i shtetasve të huaj në Uzinën e armëve në Gramsh mund të ketë pasur qëllim tjetër skenar, atë të tentativës për zhvendosje vëmendje nga tjetër ngjarje e rëndësishme, atë të sulmit kibernetik.
“Ka thyer rregulloren dhe kemi ushtrim dhune ndaj personave në detyrë, me uniformë madje. Aty ka vlera materiale të cilat ruhen. Kemi mbi 1 mijë prona në Shqipëri, shumë pa aktivitet, por ka llaç e tulla që duhen ruajtur. Për më tepër të Uzina e Gramshit. Në ndryshim nga rasti i çekëve në Poliçan kemi çdo javë turistë që tentojnë tu afrohen objekteve të vjetra. Në këtë rast kemi dhunë. Nuk më lejohet të spekuloj dhe të mos presim zbardhej e ngjarjes. Gjithë skenarët e mundshëm i mendojmë. Mund të jetë tentativë për të fshehur ngjarje tjetër”, tha Peleshi.
Ndërsa ministri Çuçi ka deklaruar se për ngjarjen në Gramsh ka nisur një hetim dhe pritet qëe në ditët në vijim të ketë një panoramë më të qartë të qëllimit të vizitës së shtetasve rus dhe ukrainas në Uzinën e armëve.
“Në lidhje me hetimin dua t’ju them si ministër i Brendshëm që për Gramshin ka një hetim që ka nisur dhe një akuzë e procedim nga Prokuroria e Elbasani. Është një rast që as e kemi mbivlerësua as nënvlerësuar. Pavarësisht se ky objekt është i deklasifikuar, për nga rrethanat si kanë tentuar të hyjnë dhe pajisjet që kishin me vete dhe për shkak të agresionit ndaj personave në detyrë, janë marrë nën hetim e procedim. Hetimi do të bëhet i plotë. Falenderoj partnerët që bashkëpunojmë gjithmonë që na kanë ndihmuar të sqarojmë në detaje këtë histori. T’ia lëmë hetimit të zbërthejë skemën dhe në ditët në vijim për elemente të rinj do të komunikojmë me publikun për panoramën e situatës dhe qëllimin e këtyre personave. Pa diskutim që ka shumë turistë në botë që e kanë si qëllim këtë aventurë, për të fotografuar objekte të një karakteri të veçantë, përfshirë uzinat pjesë e një industrie të Luftës së Ftohtë. Ndaj do të hetojmë deri në fund për të sqaruar pozicionin e të gjithëve. Deri tani nuk ka vend për spekulime për këtë ngjarje dhe të tjera të ngjashme. Kemi qenë të qartë për të bërë ndarjen e tentativës për të dhënë informacione për shërbimet e huaja me turizmin aventuresk. E kemi në kontroll çdo gjë. Pavarësisht se objekti është i deklasifkuar sërish po hetojmë për qëllimin e shtetasve të huaj”, tha Ministri i Brendshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




