PD: Gjendja kriminale në vend, në nivele të paimagjinueshme, problem edhe për partnerët europianë

Politikë | 4 vite më parë

Shefi i Organizmit të Rithemelimit, Klevis Balliu tha në një dalje për mediat se gjendja kriminale në vendin tonë ka arritur në nivele të paimagjinueshme dhe se vendi është kthyer në një fushëbetejë bandash.

Partia Demokratike i bën thirrje autoriteteve të luftojnë bandat, pasi po rrezikojnë jo vetëm jetën dhe sigurinë e shqiptarëve por janë kthyer në problem edhe për partnerët tanë europianë.

“Në Ukrainë në 24 orë u vranë 11 civile, thënë ndryshe 1 vrasje për 4 milion banorë. Në Shqipëri në 24 orë, 4 të vrarë ose 1 vrasje për 540 mijë banorë.

Gjendja kriminale në vendin tonë ka arritur në nivele të paimagjinueshme.

Në pak muaj qytetet tona kanë përjetuar terrorin dhe dramën e 47 atentateve, në të cilat kanë humbur jetën 24 persona dhe janë plagosur 23 të tjerë.

Vendi është kthyer në një fushëbetejë të bandave, të cilat edhe nëse nuk kanë mbrojtjen e qeverisë, kanë ‘lejen’ e Edi Ramës: ‘hëngshi kokat’!

Partia Demokratike, e cila ka rekord serioz, pozitiv dhe të pathyeshëm në luftën kundër bandave, bën sot një apel kombëtar: bandat luftohen duke i burgosur jo duke i lënë ta kthejnë Shqipërinë në Far West, duke rrezikuar jetën, sigurinë, shëndetin psikologjik të qytetarëve.

Shqiptarët nuk mund të jenë një ‘dëm anësor’ në luftën e bandave.

Shqiptarët janë përballur me pamje të tmerrshme, nga shpërthimet me tritol si ai i datës 11 Qershor, te vrasjet e dyfishta dhe trefishta, siç ishin rastet e Fushë Krujës, Vlorës dhe Elbasanit.

Gjendja kriminale në Shqipëri është kthyer në problem edhe për partnerët tanë europianë.

Raportet ndërkombëtare si ai i “Numbeos” e vënë Shqipërinë të dytën e Europën Jugore.

Raporti i Departametit të Shtetit i datës 2 Mars evidenton se krimi i organizuar në vendin tonë ka arritur nivele të larta.

Kryeprokurori i Antimafias Italiane ka deklaruar se fuqia e bandave shqiptare vjen nga lidhjet e ngushta me qeverinë dhe në veçanti evidenton pastrimin e parave në fushën e ndërtimit, çka ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të apartamenteve.

Ndërkaq inkriminimi i institucioneve të shtetit shqiptar, në veçanti të Policisë, ka minuar ne themel luftën ndaj bandave.

Partia Demokratike dënon ‘paktin me të keqen’ të Edi Ramës duke u lënë fushë të lirë bandave në aktivitet kriminal dhe larje hesapesh.

Me një qeveri të cilën banditët e konsiderojnë bandite si veten, Shqipëria është në rrezik”, tha Balliu.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme