Kuvendi rezolutë për deklasifikimin e dosjeve të ish- Sigurimit të Shtetit, si dhe për publikimin e emrave të bashkëpunëtorëve

Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar një Rezolutë, nëpërmjet së cilës vlerëson rolin e Autoritetit në përmbushje të misionit të tij për dhënien e informacionit për dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik, transparent, mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit e pajtimit kombëtar.
Rezoluta konsideron se veprimtaria e Autoritetit është udhëhequr nga parimi i ligjshmërisë, mbrojtjes së të dhënave personale, dhënies së informacionit publikut, institucioneve dhe medies në kohë dhe me cilësi, si dhe vlerëson bashkëpunimin e Autoritetit me institucione të tjera vendëse dhe institucione homologe ndërkombëtare për shkëmbimin e informacionit e të përvojës, lidhur me objektin e punës së Autoritetit.
Kuvendi vlerëson veprimtarinë e Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit për vitin 2021, në drejtim të: Nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit me qëllim përcaktimin e kontributit të secilës palë dhe bashkërendimin e veprimtarisë midis institucioneve për të garantuar realizimin e një procesi të rregullt ligjor, në funksion të identifikimit dhe rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit.
“Përshkallëzimit të veprimtarisë së Autoritetit me zhvillimin e tryezave ndërinstitucionale, në lidhje me hartimin e akteve nënligjore që do të përcaktojnë autoritetet përgjegjëse dhe mënyra e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara. Intensifikimit të marrëdhënieve me institucionet homologe të vendeve ish- komuniste si një mënyrë efikase për t’u njohur dhe përfituar nga përvoja e tyre në përmbushjen e misionit të Autoritetit. Pranimit të Autoritetit si anëtar me të drejta të plota në Rrjetin Evropian të Arkivave të ish Policive Sekrete. Finalizimit të “Udhërrëfyesit për të drejtat e familjarëve të të zhdukurve të komunizmit “dhe shpërndarjes së tij gjerësisht gjatë takimeve në qytete të ndryshme të vendit, të zhvilluara në kuadër të edukimit qytetar.“- thuhet në Rezolutë, që është botuar në Fletoren Zyrtare.
Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2022 të angazhohet në këto drejtime: Të vijojë angazhimin për hartimin e draftit të aktit nënligjor, i cili do të përcaktojë autoritetet përgjegjëse dhe mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara duke dhënë kontribut në përcaktimin e detyrave të AIDSSH-së në këtë proces, por edhe më gjerë, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore qendrore dhe vendore.
Sipas Kuvendit, duhet të vijojnë përpjekjet për dorëzimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme, në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me autoritetet publike dhe arkivat për zbatimin e detyrimeve ligjore, si dhe të intensifikojë bashkëpunimet me institucionet qeveritare për qartësimin e fatit të të zhdukurve në komunizëm, në komunikimin me familjet, grupet e interesit, pushtetin lokal, organizatat ndërkombëtare.
“Të bëjë funksional sistemin e arkivit digjital për lehtësim të procesit të kërkimit dhe konsultimit me dokumentet arkivore, sipas standardeve ndërkombëtare. Të bashkëpunojë ngushtë me ISKK-në sa i takon shfrytëzimit të dokumentacionit arkivor, sipas parashikimeve ligjore, me qëllim garantimin e mundësisë për shqyrtimin e dokumenteve nga ana e studiuesve duke mbështetur kërkimin shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit. Të intensifikojë bashkëpunimin me institucione homologe të huaja, me qëllim përthithjen e eksperiencave më të mira nga veprimtaria e tyre. Të intensifikojë punën për deklasifikimin e dosjeve, duke përjashtuar ato që cenojnë sigurinë kombëtare dhe të vijojë me digjitalizimin e tyre. Të publikojë në faqen zyrtare online të Autoritetit, për aq sa lejohet nga kuadri ligjor, listën e individëve që kanë rezultuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe që janë pjesë e administratës publike.“- thuhet në Rezolutë. /a.meta
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




