“Të miratohet sa më parë propozimi i Autoritetit të Dosjeve”, Balla: “Non grata” vijon të përdhosë Kuvendin, e papranueshme

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla e cilëson të domosdoshme miratimin nga Kuvendi të ndërhyrjeve ligjore sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve për rishikimin e certifikatës së pastërtisë së kujtdo që ka hyrë në politikë si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit.
“Ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, një shërbimi sekret terrori, në të gjitha majat e piramidës shtetërore, ka bërë të domosdoshëm miratimin sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, në sesionin e ri që nis në shtator, të ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar tashmë sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve, për të rishikuar çertifikatën e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit”, tha Balla.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Balla shkruan se Kuvendit do i duhet të adresojë dhe çështjen e Kryetarit të Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha, pasi ky i fundit është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Balla thekson se është e papranueshme që Berisha vijon të përdhosë Kuvendin me praninë dhe gjuhën e përdorur.
“Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij.
Ne nuk ia drejtojmë dot bishtin as non gratës as bashkëpunetorëve, por ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë të keqen të vazhdojë të bëjë moral me shpresën se do të hajë kokën e vet, madje absurdi të shkojë deri aty sa këta lloj të bërtasin për drejtësi, kur janë vetë ata që kanë hesapet më të mëdha me drejtësinë dhe Shqipërinë”, shkruan Balla.
Më 27 korrik Autoriteti i Dosjeve në shkresën e siguruar nga RTSH, përmendte emrin e ish-presidentit Ilir Meta, aktualisht Kryetar i Partisë së Lirisë, ku theksonte se nga verifikimet e figurës nga “Komisioni Mezini” dhe “Bezhani”, ai ka rezultuar i pastër, por nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit, faktet do të ishin ndryshe.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




