Betohet para Presidenti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Arben Kingji

Është betuar para Presidentit Bajram Begaj, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Arben Kingji. Në ceremoninë e betimit kanë qenë të pranishëm dhe oficerë madhorë të FA-ve. Presidenti Begaj i ka dorëzuar Kingjit dekretin e emërimit dhe i ka uruar suksese në detyrën e rëndësishme në krye të Forcave të Armatosura shqiptare.
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Gjeneral Brigade Arben Voke Kingji u betua sot para Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, njëkohësisht edhe Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë e betimit, pas ekzekutimit të himnit kombëtar, u lexua dekreti i emërimit të Presidentit të Republikës. Gjeneral Brigade Arben Voke Kingji, me dorën mbi Kushtetutë, u betua solemnisht se : “Do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, do t’i shërbej me ndershmëri vendit tim dhe do të mbroj interesat e Republikës së Shqipërisë.”
Presidenti Begaj i dorëzoi dekretin e emërimit dhe i uroi Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Kingji punë të mbarë dhe suksese në detyrën e rëndësishme në krye të Forcave të Armatosura shqiptare. Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm oficerë madhorë të Forcave të Armatosura”, thuhet në njoftim.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




