100 vite marrëdhënie diplomatike, Begaj: SHBA mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë tonë, kjo shënoi miqësinë që kemi sot

Presidenti Bajram Begaj theksoi se marrëdhëniet dhe miqësia që SHBA dhe Shqipëria ka sot është falë presidentit Uillson, i cili mbështeti fuqishëm pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Kjo sipas Begajt shënoi dhe fillimin e miqësisë tonë unike që sot shënon një shekull marrëdhënie diplomatike dhe bashkëpunimi.
“Kënaqësi e veçantë që sot, kremtojmë 100-vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerin tonë më të madh strategjik. Një moment i historisë sonë, lidhet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Rol të rëndësishme në krijimin e këtyre marrëdhënieve e ka luajtur Presidenti Uillson, i cili ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare. Fan Noli bashkë me Konicën dhe veteranet e tjerë, besonin fort në politikën amerikane të kohës dhe vunë gjithçka patën në shërbim të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Presidenti Uillson, u bë mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë dhe mos copëtimit të trojeve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë”, tha Begaj.
Presidenti Begaj vlerësoi edhe mbështetje që SHBA ka dhënë për shqiptarët duke i kthyer në një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan.
“Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë”, tha Begaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




