Ndryshimet në qeveri, Alibeaj: Kërkojmë seancë me debat!

Grupi parlamentar i PD-së kërkon seancë me debat për ndryshimet në qeveri. Kërkesa është bërë nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj. Sipas tij, kreu i qeverisë dhe marionetat me të cilat ai lëviz fijet e pushtetit, i tremben debatit, përballjes me faktet dhe të vërtetën.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së kam paraqitur pranë Kuvendit kërkesën për debat në seancën plenare të së enjtes, ku do të votohet për ndryshimet e fundit në qeveri. Siç ndodh rëndom në të gjjtha rastet kur i duhet të përballet me faktet, Edi Rama udhëron votimin pa debat. Edhe pse është e shkruar qartë në nenin 110 të Rregullores që sanksionon se Kuvendi ia nënshtron debatit parlamentar përbërjen e qeverisë. “Asnjë deputeti, – thotë neni 46 i Rregullores, “që dëshiron të diskutojë për një cështje të rendit të ditës, nuk mund t’i hiqet e drejta e fjalës. Është e qartë se kreu i qeverisë dhe marionetat me të cilat ai lëviz fijet e pushtetit i tremben debatit, përballjes me faktet dhe të vërtetën. Është po kaq e qartë se Edi Rama dhe makiazhi i qeverisë së tij nuk bindin më askënd në Shqipëri. Madje as me besnikët e tij. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që në këtë krizë të thellë që ka përfshirë Shqipërinë në vend të përballjes me faktet, me problemet dhe hallet e përditshme, shqiptarëve u ofrohen debate shterpë që i interesojnë vetëm klaneve të etura për pushtet brenda PS-së.”, deklaron Alibeaj.
Sipas tij, ndryshimet e qeverisë të shpallura në tëitter, betejat e brendshme në kupolën drejtuese të PS-së për të përfituar dhe abuzuar në kurriz të shqiptarëve, janë dhe mbeten mënyra që Edi Rama ka zgjedhur për të larguar vëmendjen nga vetja.
“Ai është përgjegjës kryesor i varfërisë së shkaktuar nga korrupsioni, i vjedhjes galopante që ka zbrazur xhepat e qytetarëve. Për këtë ai përdor çdo mënyrë për të shmangur debatin publik, përballjen me faktet dhe të vërtetën që shqiptarët e kuptojnë çdo ditë e më shumë.”- thuhet në deklaratën e Alibeajt.
/rtsh.al/

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




