Hapja e negociatave, Varhelyi: Shqipëria do ecë në rrugën e saj drejt BE e ndarë nga Maqedonia e Veriut

Pasi Shkupi zgjidhi një mosmarrëveshje të gjatë me Bullgarinë anëtare të BE-së, Shqipëria pritet të nisë menjëherë negociatat e pranimit. Komisioneri për Zgjerim Olivér Várhelyi tha se tashmë procesi varet me ecurinë e reformave, kush ka ritme më të shpejta i bashkohet i pari BE-së.
“Shqipëria ka treguar solidaritet të vërtetë me Maqedoninë e Veriut dhe pjekuri për të kuptuar se vendet tona anëtare donin që të dy vendet të ecin përpara dhe Shqipëria tani mund të vazhdojë vetë. I gjithë procesi i zgjerimit është i bazuar në merita dhe tani gara është duke u zhvilluar, kushdo që jep i pari, duhet të ketë të drejtë të bashkohet i pari,” tha Várhelyi për Euractiv.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, ajo së pari do të duhet të ndryshojë kushtetutën e saj për të përfshirë bullgarët në mesin e kombeve të tjera shtet-ndërtuese, për të cilat nuk ka konsensusin e nevojshëm në parlament.
“Për Maqedoninë e Veriut, ky duhet të jetë një moment për t’u kthjelluar, edhe për opozitën. Djegia e dokumenteve në dhomën plenare, shtytja e njerëzve drejt dhunës dhe nxitja e urrejtjes nuk sjellin asgjë, vetëm dëm”, tha Várhelyi.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ka treguar nevojën për të përshpejtuar procedurat për zgjerimin e BE. Várhelyi tha se vitet e fundit ka pasur pak ‘oreks’ për zgjerim brenda BE-së, por lufta e Rusisë ka rikthyer vullnetin për zgjerim.
“Ndoshta është ndikimi i vetëm pozitiv i luftës së Rusisë në Ukrainë, sepse e kthjelloi diskutimin rreth zgjerimit si dhe kapacitetin absorbues të BE-së. Ne evropianët, tani jo vetëm e kuptojmë, por jemi gati ta realizojmë këtë, se Evropa nuk do të gëzojë siguri, stabilitet dhe prosperitet pa u integruar plotësisht Ballkani Perëndimor,” tha Várhelyi.
Në qershor, BE i dha statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë si një sinjal solidariteti në përgjigje të agresionit rus dhe shtetet anëtare në korrik ndezën dritën jeshile për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




