Meta: Do rikthehem për një mandat të 2-të si President, Basha një “mashtrues ordiner”

Politikë | 4 vite më parë

Ilir Meta, në mënyrë të drejtëpërdrejtë ka bërë të qartë sot në Konventën e LSI-së se do të ketë një rrugëtim të gjatë në politikë, madje duke nënvizuar se mezi pret pas 25 vitesh të rikthehet sërish në presidencë. Në Konventën Kombëtare të LSI ai tha se nga 3 pozicionet më të larta që ka mbajtur, është ndjerë më mirë në atë të Presidentit. Ndaj theksoi se mezi pret të rikthehet pas 25 vitesh për mandatin e dytë.

“Dje, siç kisha bërë premtimin public, dorëzova, sipas Kushtetutës dhe afatit kushtetues, detyrën më të lartë në këtë shtet, atë të Presidentit. Përfundova mandatin e parë si president dhe në këtë mënyrë pata eksperiencën e të provuarit të 3 pozicioneve më të larta në këtë shtet, të kryeministrit, kryetarit të parlamentit dhe presidentit. Dikush më pyeti, nga këto të 3, ku je ndjerë më mirë? Pa diskutim, në detyrën e presidentit dhe mezi pres të rikthehem pas 25 vitesh për të përmbushur mandatin e dytë”, tha Meta.

Në fjalën e tij, Meta ka vënë në epiqendër të sulmeve Lulzim Bashën, për djegien e mandateve, duke e cilësuar atë si “mashtrues ordiner”. Në fjalën e tij në Konventën Kombëtare, Meta tha se ka qenë kundër bastit të opozitës për të lënë parlamentin në shkurt të vitit 2019.

“Secili duhet të marrë përgjegjësitë e tij dhe duhet të nisemi në përfundimin e këtij eventi të rëndësishëm me vendimin e madh për të takuar çdo qytetar që ti themi se ka vetëm një zgjidhje. Kemi provuar çdo gjë, por zgjidhja është të zbatohet Kushtetuta, instrumenti që me referendum populli e vendosi në 1998, për ta ushtruar sa herë të deleguarit abuzonin. E dimë që është bërë çdo gjë për ta bllokuar referendumin nga një grup politikanësh, që shpesh bëjnë teatër nëpër media, nuk bëjnë gjë veçse plaçkitin çdo ditë popullin e Shqipërisë. Viktima është populli. Edhe ju ishit target i tyre gjatë 5 viteve që kaluan dhe më duhet që të mos kthehem në analizë, ti bëj të qartë çdo anëtari e simpatizanti të LSI, por edhe çdo qytetari të Shqipërisë që Ilir Meta ka qenë kategorikisht kundër bastit të çmendur për ti besuar një mashtruesi ordiner që të gënjej pa kuptim duke djegur mandatet, duke lënë parlamentin, duke bojkotuar pushtetin vendor. Djegia e mandateve ishte planifikuar nga mafia që drejton Shqipërinë, nga oligarkët se duhej braktisur dhe pushteti lokal”, tha Meta.

Meta ka sulmuar edhe kryeministrin Edi Rama, duke thënë se nuk është patriot. Për këtë përmend deklaratën e tij që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president, për të cilën Meta thotë se dha mesazhin për llogari të tjetër kujt, në mënyrë që të ç’bëhen njohjet e Kosovës.

“Këta nuk kanë asnjë besim veçse sëmundjen e kleptokracisë, të atij që vjedh edhe kur nuk ka nevojë për diçka. Refuzimi i platformave të presidentit për pakte për integrimin, për reformën në drejtësi, refuzohej se duhej konfrontim. Shqipëria duhet të paraqitej si vend anormal. Kosova duhej të copëtohej. Kosova duhet ti falte pjesën e saj më të pasur dikujt tjetër. Artisti ka marrë detyra të mëdha përsipër. Mos mendoni se është vërtet kaq patriot ai, sa ditën që në parlamentin e Kosovës festohet 10-vjetori i pavarësisë, kryeministri i Shqipërisë deklaron se kishte përfytyrimin se Shqipëria e Kosova do kishte një president. Pra, dha mesazhin që kishte marrë për llogari të tjetër kujt. E paskan planin që të kenë një shtet që të ç’bëhen njohjet e tjera të Kosovës? Mori porosi që të bëjë lajm ndërkombëtar. Kaq mjafton për të treguar nivelin dhe standardin. Pastaj u tërhoq. Jo tha se u nxitova.”, tha Meta.

 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme