Fier, Berisha: Rama, me reformën territoriale, shkatërroi, dëmtoi rëndë përfaqësimin e qytetarëve

Politikë | 4 vite më parë

Fieri ka qenë stacioni i radhës i Sali Berishës, ku ka zhvilluar një takim me qytetarë. Ai është ndalur në fjalën e tij edhe tek reforma territoriale. Sipas tij, demokratët janë në një situatë emergjente, që dikton një veprimtari shumëplanëshe, në mënyrë që të përballen me armikun më të keq të lirisë së shqiptarëve pas Enver Hoxhës, që është Edi Rama.

“Të shpallësh një kundërshtar armik nuk është e përshtatshme, por një kundërshtar që shkelmon liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe krijon një parti që nuk voton, e cila në të gjitha variantet e saj nuk mund të jetë kurrë demokratike, mund të jetë ekstremiste e majtë, naziste apo fashiste, por vetëm parti e një harku kushtetues demokratik nuk mund të jetë. Këtu e solli Rama shoqërinë shqiptare. Ai nuk është armik i demokratëve se sa i vetë socialisteve që besojnë në votë e liri dhe në rregullat e demokracisë”, theksoi Berisha.

Sipas tij, Rama, me reformën territoriale, shkatërroi, dëmtoi rëndë përfaqësimin e qytetarëve, pasi shqiptarët zgjidhnin me votë 420 kryetarë komunash e bashkish, mijëra përfaqësues këshilltarë dhe kishin një shpërqendrim të shërbimeve ndaj tyre.

“Nuk them se nuk kishte nevojë për reformim, por ai përdori reformën absolutisht për parime të kundërta. Përdori centralizimin e pushtetit. Sot në Fier, në çdo qark e rreth, kemi me qindra fshatra që nuk përfaqësohen nga asnjë këshilltar, zëvendësoi të zgjedhurit me të emëruarit e parties, që nuk i japin qytetarëve asnjë llogari. I japin vetëm atij që i emëron”, tha Berisha.

Berisha ka folur edhe në lidhje me shpalljen e tij non grata nga Britania. Ai e quajti një akt të tillë vepër të lobimeve të kryeministrit Rama dhe George Soros.

“Ju e morët vesh që para 3 ditësh njoftimin e homeoffice, se jam shpallur “non grata”. Ky miqtë e mi është një akt i tmerrshëm korruptimi. Unë mbetem i vendosur të luftoj korrupsionin me të gjithë forcën time, nga cilido qoftë. Akti është vazhdim i lobimit të Soros dhe Ramës, ku në një vit rresht nuk nxorrën dot një fakt të vetëm. As në 100 vjet nuk mund të nxjerrin. Pas kësaj u duhet edhe një tjetër akt që të thonin se e ka bërë edhe Britania. Edhe nëse e bën e gjithë bota me korrupsion, do ta denoncoj. Asgjë nuk më ndalon. Këto nuk janë agjendat tona. Ajo është rrëzimi i kësaj qeverie. Sikundër, si deri më sot, do të denoncoj me gjithë forcën time kriminelët, korrupsionin e kujtdo zyrtari shqiptarë dhe të huaj. Kauza jonë është e drejtë. Ne do të fitojmë”, theksoi Berisha.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme