Betimi i Presidentit/ Alibeaj: Marrim pjesë! Berisha: Vendosim të dielën

Partia Demokratike nuk ka ende një vendim nëse do të jetë ditën e diel në Kuvend, kur pritet që të betohet Presidenti i ri i vendit, Bajram Begaj.
Kështu u shpreh përmes një njoftim selia blu e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Vendimi nëse deputetët e PD-së, që mbështesin Berishën do të jenë në sallë, pritet të merret paraditen e të dielës.
Krejt tjetër qëndrim ka Enkelejd Alibeaj, i cili bëri me dije se deputetët që mbështesin atë do të jenë të pranishëm në ceremoninë e betimit të Presidentit të ri.
“Ne do marrim pjesë në seancën e nesërme në Kuvend. Seanca e nesërme është e parashikuar nga Kushtetuta. Qëndrimin tonë për z. Begaj e kemi mbajtur dhe është i qartë. Ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të mazhorances dhe nuk përfaqëson gjysmën e shqiptarëve. Por ka një ndryshim midis individit Bajram Begajt dhe Presidencës së Republikës si institucion. Kemi respektuar e do të respektojmë Kushtetutën dhe institucionet e jo individët. Jemi shumë të qartë në këtë pozicion. Edhe në 2017 kur z.Meta u zgjodh president PD atëherë nuk mori pjesë në votim por mori pjesë në ceremoninë e betimit.’- njoftoi Alibeaj.
Begaj do të betohet në një seancë të posaçme parlamentare që do të zhvillohet në orën 18:00 në Kuvend, ndërsa më pas do të zhvillohet në Presidencë edhe ceremonia e marrjes së detyrës së Presidentit.
Ceremonia pritet të fillojë në Presidencë në orën 18:45 me mbërritjen e personaliteteve të ftuar, ndërsa Begaj do të mbërrijë në orën 19:15. Begaj do të mbajë fjalën si Presidenti i ri i vendit në orën 19:40, pas dorëzimit të Kushtetutës nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




