Berisha s’votoi rezolutën kundër Dick Marty, Rama: Politikë neveritëse e ‘non gratës’ tashmë jo vetëm nga SHBA

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar politikë neveritëse të atyre që hiqen si patriotë mos votimin nga ana e Sali Berishës në Kuvend të rezolutës kundër raportit të Dick Marty-t. Teksa e konsideron Sali Berishën tashmë jo vetëm të damkosur nga SHBA, Rama falenderon deputetë e tjerë të opozitës që e votuan.
“Mosvotimi dje në Kuvend nga ana e të damkosurit si NonGrata (tanimë jo vetëm nga SHBA)i rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty, është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës! FLM të tjerëve! Sa për dokrrat e tjera turbopatriotike, që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës në politikë të brendshme të Kosovës e Shqipërisë bashkë, Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon, as i ka çmuar e as i çmon ndryshe përveçse si kotësisht të dëmshme”, shkruan Rama.
Një ditë më parë Britania e Madhe tha se ka vendosur sanksione dhe ndaluar të hynë në vendin e saj disa shqiptarë të lidhur me krimin, por pa specifikuar emra dhe nëse ishin apo jo politikanë. Deklarata e Ramës sot, por dhe një ditë më parë në Kuvend ku iu drejtua Sali Berishës se ai nuk e kalon dot kanalin e La Manche lë të nënkuptosh se emri i tij mund të jetë në listë.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e saj të fundit parlamentare për këtë sezon rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t ku kërkon tërheqjen e pretendimeve për trafik organesh ndaj ish luftëtarëve të UÇK, me 125 vota pro, ku opozita përtej debateve e votoi atë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




