Reforma/ Gjiknuri: S‘është problem administrimi i zgjedhjeve, por frika e lidershipit për të shpëtuar kokën kur humb

Politikë | 4 vite më parë

Kultura demokratike e pranimit të humbjes në zgjedhje, është sipas sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri, problemi real me zgjedhjet dhe jo administrimi i tyre. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gjiknuri nënvizoi se problematika me zgjedhjet ka të bëjë me “shpëtimin e kokës së liderit kur humbet partia”, gjë që më pas e çon atë në shpikjet për abuzime në zgjedhje, gjëra që fatkeqësisht e kanë futur Shqipërinë në cikle krizash të pamerituara.

“Nuk vijnë ndërkombëtarët të shpikin kushte, por jemi ne shqiptarët që e bëjmë, duke ngritur probleme që nuk ekzistojnë. Në këto raste evidente kanë qenë veprimet e opozitës për të justifikuar humbjet e saj, që ktheheshin gjoja në kushte”, – theksoi Gjiknuri.

Numri 2 i PS drejtoi gishtin nga opozita, pasi qeveria, në kulmin e pandemisë shpenzoi 15-16 milionë euro për reformën zgjedhore, vetëm e vetëm, sipas tij, “për të kuruar frikërat e një njeriu, që kishte frikë të hynte në zgjedhje dhe që i bojkotoi zgjedhjet vetëm nga frika se nuk donte të ballafaqohej me njerëzit e tij, pasi të dilte rezultati”.

“Kam kënaqësi që kam drejtuar në një klimë të vështirë politike, më 2020-ën, një reformë zgjedhore që, për herë të pare, u shkrua nga A te ZH nga opozita shqiptare. Madje u investuan miliona për të kuruar frikërat e opozitës, vetëm për të kuruar frikërat e një njeriu, që kishte frikë të hynte në zgjedhje. Të mos harrojmë që problemi që vinte nga KQZ-ja në shumë zgjedhje të kaluara, ka qenë problem themelor. Fakti që tani e quajmë rutinë burokratike, është një sukses për mbajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe për KQZ. Kjo është e vërteta. Mendoj se ka ardhur koha të adresojmë shumë çështje, si atë të komisionerëve. Ne e pamë që PD nuk gjente komisionerë. Pse të mos heqim dorë nga komisionerët? Ne e kemi një model gati, i shkruar nga ekspertë të opozitës. Them ta miratojmë. Pse të mos heqim dorë nga numërimi i përqendruar? Mendoj se ka ardhur momenti, sidomos me përfshirjen e teknologjisë”, tha Gjiknuri.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme