Aeroporti i Vlorës/ Tabaku: Po ndërtohet në zonë të mbrojtur, po preket Vjosa! Kumbaro: E pavërtetë, do jetë në njollën ekzistuese

Politikë | 4 vite më parë

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës, i cili parashikon të zhvillojë fluturime transoqeanike, ka nxitur debate në Kuvend mes pozitës dhe opozitës. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se po ndërton pa leje aeroportin e Vlorës dhe për më tepër, sipas saj, po e ndërton në një zonë të mbrojtur ku do të prek edhe Vjosën. Këto akuza Tabaku i bëri gjatë një interpelance që kishte thirrur me ministren e Turizmit.

Ministrja Mirela Kumbaro i hodhi poshtë këto akuza duke thënë se aeroporti i Vlorës do të ndërtohet në njollën ekzistuese dhe jo në zonën e mbrojtur, madje, sipas saj, qeveria ka rritur sipërfaqen e zonës së mbrojtur nga 17 në 21 %

“Historia me aeroportin e Vlorës në zonën e mbrojtur dhe konsideruar peizazh natyror që nga viti 2004 nis katër vite më parë kur qeveria Rama paraqiti në kuvend një projektligj për ndërtimin e këtij aeroporti. Në 24 janar 2018 ky projektligj u shndërrua në ligj vetëm me votat e mazhorancës me procedurë të përshpejtuar; arsyeja e një urgjence të tillë nuk u bë transparente. Vlen gjithashtu të theksohet se ky projektligj nuk është shqyrtuar nga Komisioni për Integrim Evropian, komision parlamentar përgjegjës për përafrimin e legjislacionit kombëtar me të BE-së dhe mbikëqyrjen e zbatimit të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Mirëpo qeveria Rama e kishte ndarë mendjen që atje, në zonën e mbrojtur natyrore dhe Lagunën e Nartë—Vjosë do duhej të ndërtohej një aeroport i madh kështu që nisi punën për ta dhënë këtë koncesion. Në rastin konkret dhe leja e zhvillimit është dhënë para kësaj deklarate, nuk ka leje ndërtimi”, tha Tabaku.

“Projekti i aeroportit është propozuar të kryhet as më shumë dhe as më pak por në gjurmën ekzistuese të ish-aeroportit ushtarak, që ka qenë funksional deri në fillim të viteve 1970. Theksojmë gjithashtu se ai ndodhet në nënzonën C – që nuk është as Zona Qendrore A dhe as në Zonën e Zhvillimit të Qëndrueshëm B, nuk prek Monumentet e Natyrës të identifikuara si për shembull Dunat e Nartës, Laguna Limopuo, Kodrat Molasike të Zvërnecit, Pylli i Zvërnecit. Po kështu nuk preket fare Laguna e Nartës. Si Ministër i Turizmit nuk mund të mos theksoj se ky është një projekt strategjik, që siç thonë banorët e Vlorës që kujtojnë edhe disa përpjekje të mëparshme në fillim të viteve 2000 për ta ringjallur atë aeroport të dikurshëm, por pa sukses, « ëndrra po bëhet realitet ». Një pol i ri i turizmit që favorizon Shqipërinë do të jetë ky aeroport. Ndërsa të akuzosh këtë qeveri se po shkatërron natyrën, ndërkohë që ka ndërmarrë projektin më ambicioz për zonat e mbrojtura mjedisore siç është studimi dhe planifikimi i parkut kombëtar të lumit të fundit të egër në Europë – VJOSA, është të kërcesh si prifti nga belaja. Këtë hall jua kuptoj por nuk ua zgjidh dot”, tha Kumbaro.

Argumenti i Kumbaros nuk ka bindur Tabakun, e cila këmbënguli se qeveria ka hequr Lagunën e Nartës nga zona e mbrojtur për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës. Por këtë herë Kumbaro i tha se PD kur ka qenë në pushtet nuk ka pasur asnjë zhvillim në këtë zonë, ndaj PS votohet për herë të tretë.

“Unë di të them që kur keni qene ju në pushtet nuk i keni bërë këto zhvillime. Prandaj votohemi për të tretën herë dhe këtë se vendosni ju. Sa i përket akuzës sikur kemi bërë  sa kemi shtuar me lejoni t’iu tregoj në foto të dyfishuar, ashtu si parkun e Llogorasë. Mund tua jap edhe dhuratë këto fotografi, mirë është të bëjmë dhe cik dhurata për  të mësuar për gjeografinë. Sa për akuzat për korrupsion keni vend ku i çoni unë atyre nuk i jap përgjigje sepse janë të pabaza”, tha Kumbaro.

Aeroporti i Vlorës pritet të ndërtohet brenda 4 viteve të ardhshme, ku fitues u shpall konsorcium kompanish të themeluara në Zvicër. Aeroporti i Vlorës do të jetë i tretë aeroport në vend, pas Rinasit dhe atij të Kukësit, ku këtu fluturimet do të jenë transoqeanike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme